E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRI/ Arrestohet 28-vjeçari në Shkodër, ndihmonte emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Itinerari”, duke vënë në pranga një 28-vjeçar të dyshuar për dhënie ndihme në kalim të paligjshëm të kufirit.

Në kuadër të hetimeve për goditjen e këtij aktiviteti kriminal, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, arrestoi në flagrancë shtetasin Stiven Muça, 28 vjeç, banues në Shkodër.

Sipas hetimeve paraprake, i riu po transportonte 5 shtetas nga vende të treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit në drejtim të Malit të Zi, duke u marrë nga 600 euro për person. Dyshohet se transporti fillonte nga kufiri jeshil me Greqinë dhe vijonte drejt kufirit verior.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›