Siguria në shkolla, Rama: Sistem vëzhgimi me kamera edhe nëpër klasa

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama u ndal sot gjatë fjalës së tij në takimin “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030” edhe te transformimi i sistemit arsimor në vend, nga investimet në shkolla të ndërtuara me standardet më të mira evropiane, te shtimi i mësuesve ndihmës për fëmijët me nevoja speciale dhe te programi për përfshirjen e vaktit të drekës në të gjitha shkollat e vendit.
“Sot, janë 2100 mësues-ndihmës që do të thotë që kemi një mësues-ndihmës për dy fëmijë të tillë në shkollë, por ama nuk do të ndalemi këtu. Do të shkojmë më tutje, kemi filluar ndërtimin e klasave për fëmijët e shtruar në Pediatri. Klasa të veçanta me kurrikula të veçanta që nga një anë do të ndihmojë që fëmijët mos të ngelen mbrapa në mësime, por nga ana tjetër do t’u krijojë atyre hapësirë për krijimtari artistike dhe mbi të gjitha do t’u japi atyre ndjesinë se janë të mbështetur nga shoqëria dhe shoqëria po i pret të rikthehen”, tha Rama.
Kryeministri pohoi se 50 shkolla të reja dhe kopshte janë ndërtuar deri sot dhe të gjitha me standarde evropiane, ndërsa gjatë mandatit të katërt sipas Ramës do të ndërtohen rreth 200 shkolla të tjera.
Kreu i ekzekutivit theksoi se programet e vetëpunësimit, përmes trajnimeve profesionale, subvencionimit të pagesës së kopshteve dhe çerdheve, mbulimit të kostove të transportit kanë bërë që numri i grave të punësuara të jetë 63%, teksa solli në vëmendje edhe thirrjet e startup-eve, ku këtë vit numri i përfitueseve gra dhe vajza ka shkuar në 41%, nga 28% që ka qenë vitin e kaluar.
Rama solli në vëmendje edhe programin e teksteve falas që sipas tij, ka mundësuar libra falas për familje të pasura dhe të varfra, ndërsa deri sot janë paguar 80 milionë euro për çerek milion nxënës çdo vit marrin tekstet falas.
“Për herë të parë ky shtet jep bursa për nxënësit që vijnë nga komunitete rome dhe egjiptiane. Janë 3500 bursa që marrin fëmijët në nevojë dhe fëmijët e familjeve rome dhe egjiptiane. Dhe jam shumë krenar që kemi kandidaten e parë rome për deputet në historinë e Republikës së Shqipërisë një vajzë e shkëlqyer në çdo drejtim, Ina Majko nga Delvina”, tha Rama.
“Kemi hapur një program të ri të detyrave të shtëpisë në shkollë, që zgjerohet vit pas viti, dhe i ofron mbështetje të madhe prindërve, por tani ka ardhur koha që nga bashkitë qendra dhe qarku të fillojmë programin jashtëzakonisht të nevojshëm, të vaktit të drekës në shkollë në mënyrë që prindërit dhe nënat që shkojnë në punë të mos kenë asnjë shqetësim se po del fëmija nga shkolla, por fëmijët të kalojnë nga orët e mësimeve përmes drekës në shkollë në orët e pasdites, ku kemi krijuar edhe hapësirë për sportin”, pohoi Rama, ndërsa tha se “janë 12 mijë fëmijë sot të angazhuar në ekipet sportive në shkolla, por objektivi është që ky numër të shkojë në 20 mijë”.
Kryeministri deklaroi se siguria në shkollë do të mbështetet nga një sistem tërësisht inovativ kamerash inteligjente, jo vetëm në shkollë, oborr, por edhe në çdo klasë dhe kjo sipas Ramës do të realizohet falë bashkëpunimit me qeverinë e Emirateve të Bashkuara, një projekt avangard për rajonin.
/r.e//a.f/