E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Kthejmë QSUNT në një qendër ekselence në rajon

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste tha sot se “Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do ta shndërrojmë në ekselencë të rajonit tonë”.

Në eventin e organizuar në Teatrin Kombëtar Të Operas dhe Baletit “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, i cili i paraprin çeljes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit, Rama tha se në Shqipëri prej 100 vitesh nuk vihej dorë në qendrat spitalore, ndërsa gjatë qeverisjes socialiste “janë ndërtuar 53 spitale dhe nga këto 10 spitale janë ndërtuar krejtësisht rishtaz, pasi nuk kanë ekzistuar, ndërsa 43 të tjerët janë shembur dhe janë bërë nga e para”.

Duke kthyer shikimin nga opozita, Rama tha se “dhe kur ke përballë apo nga pas specie që kua-kua për shëndetësinë, lind një pyetje: Po na tregoni kur është ndërtuar spitali i fundit në Shqipëri përpara se ne të merrnim ne detyrën? Na tregoni një spital përpara se ne të merrnim detyrën. Dhe për këtë duhet të shkojmë në vitet ’70, ’60, duhet të kalojmë në vitet ’50, para Luftës, pasi nuk është humor, por kemi spitalin e Korçës, sot kantieri ynë, u vu dorë nga shteti pas 100 vitesh”, tha Rama.

Sa i takon arsimit, kryetari i PS tha se janë ndërtuar 450 shkolla të reja, kopshte me standarde europiane. “Shkolla, jo thjesht europiane, por si shkollat e mira të Europës”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se po punohet që QSUNT të shndërrohet në një qendër ekselence për shëndetësinë në rajon.

“Jam shumë i energjizuar dhe më vjen shumë mirë ta ndaj me ju sot faktin që e kemi hapur trasenë për të ndërtuar dy ose tri aleanca shumë të mëdha strategjike që do ta shndërrojmë, në 2030, me ndihmën e Zotit, do të shihemi sërish, dhe mbajeni mend këtë fjalë, se do të mbështesim kryeministren grua. Qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” do ta shndërrojmë në ekselencë të rajonit tonë. Falë gjithë bazës që kemi vendosur. Dhe kemi bërë shumë diskutime, vizita, ata me të cilët duam të bëjmë këto aleanca, janë impresionuar nga situata e Qendrës Spitalore Universitare, pasi nuk e mendonin që ishte në atë nivel investimesh, por do ta bëjmë atë qendër që askush të mos ketë nevojë të shkojë askund për të marrë shërbimet më të specializuara, por t’i marrë këtu në Shqipëri”, theksoi Rama.

Rama tha se “paralelisht me QSUNT do të bashkëngjisim me Universitetin tonë të Mjekësisë një nga universitetet më të mira të Europës dhe ai universitet ynë i mjekësisë do të kthehet në një destinacion akademik për studentët jo vetë nga Shqipëria, por dhe nga e gjithë Evropa, këtu në Tiranë”, tha Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›