E Hënë, 2 Nëntor 2026

Efekti paketës/ Më pak investime nga biznesi, më pak vende të reja pune

Ardian Shehu, sipërmarrës dhe anëtar i Dhomës Amerikane të Tregtisë, duke analizuar ndryshimet në taksat dhe tatimet për vitin që vjen, thotë se politika për të ulur taksat, që të ulen çmimet, nuk është eficiente.

 Sipas tij, qeveria duhet të krijojë kushtet për konkurrencë dhe të luftojë monopolet dhe më pas çmimet janë më të drejta. Duke analizuar në studion e E-ZONE, Shehu tha se kjo paketë rrit barrën e taksave në përgjithësi.

“Një nga efektet e paketës është që biznesi nuk do të riinvestojë fitimet e tij. Rritja e taksave do të sjellë një stepje të investimeve të reja, pasi barra fiskale është rritur. Më pak investime të reja, për rrjedhojë më pak vende të reja pune. Dhe në sektorë të veçantë vendet e reja të punës lidhen me një fuqi punëtore të kualifikuar, që do të mungojnë”, sqaroi Shehu në Vizion Plus.

Sipas tij, këto ndryshime pa dhënë kohën e mjaftueshme që biznesi të përgatitet janë një tjetër shqetësim për biznesin.

Reklamë

“Janë ndryshime që nuk të lënë kohë të përgatitesh. Qeveria duhej që ndryshime të tilla t’i kishte njoftuar më herët dhe minimalisht të kishte lënë një vit apo gjashtë muaj kohë që biznesi të bënte llogaritë dhe të analizonte efektet. Hyrja në fuqi me kaq shpejtësi përkeqëson klimën ekonomike”, përfundoi Shehu analizën e tij.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›