“Ekipet Sportive në Shkolla”, ndeshje të forta për përfaqësim në kampionatin rajonal

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Kampionati i ndeshjeve për edicionin IV të projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”, një nismë që synon nxitjen e aktivitetit fizik dhe promovimin e sportit në sistemin arsimor parauniversitar, ka nisur me ndeshjet mes shkollave në çdo qark.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga ky kampionat që këtë vit ka përfshirë 608 ekipe nga shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet në mbarë vendin.
Rama theksoi se, vajzat dhe djemtë e ekipeve sportive më të talentuara në basketboll dhe volejboll janë përballur në ndeshje të forta – por mbi të gjitha shumë bukura e me frymë “fair play” mes tyre, ku ekipet fituese do të përfaqësojnë qarkun në kampionatin rajonal.
Në total, në këtë edicion marrin pjesë 608 ekipe nga e gjithë vendi. Në ciklin 9-vjeçar, në basketboll garojnë 158 ekipe, prej të cilave 78 ekipe vajzash dhe 80 ekipe djemsh. Në volejboll për të njëjtin cikël janë 226 ekipe, me 114 ekipe vajzash dhe 112 ekipe djemsh.
Në nivelin e shkollave të mesme, në basketboll marrin pjesë 73 ekipe, nga të cilat 36 ekipe vajzash dhe 37 ekipe djemsh. Ndërsa në volejboll garojnë 151 ekipe, përkatësisht 77 ekipe vajzash dhe 74 ekipe djemsh.
Projekti synon të forcojë kulturën sportive në shkolla, të promovojë barazinë gjinore në sport dhe të shërbejë si një bazë për evidentimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinat përkatëse.
/gj.m/j.p/r.e/