E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomistët modernë - çfarë po kërkohet prej tyre?

Debatet mbi rolin dhe kontributin e ekonomistëve në shoqëritë moderne po bëhen çdo ditë e më evidente. Pikëpyetjet mbi utilitetin social e politik të tyre janë në fokus të analizave të specializuara. Çfarë ekonomistësh na duhen? Çfarë njohurish janë të nevojshme për të formuar një ekonomist? Çfarë problemesh duhet të zgjidhin ata? Si ta vlerësojmë cilësinë e tyre? Të gjitha këto pyetje e pikëpyetje nuk janë thjesht shqetësime intelektuale apo akademike mbi thelbin dhe rolin e profesionit të ekonomistit, por më shumë se kaq, ato reflektojnë një kohë të re sfidash përballë ekonomistëve në mënyrë që ata ta "justifikojnë" veten përballë asaj çka pritet prej tyre sot. Thellimi i fenomenit të globalizimit dhe gjithë kërkesat e pasojat e tij mbi zhvillimin ekonomiko-social të vendeve të ndryshme ka nxjerrë dukshëm në evidencë dhe dilemën e madhe: a i përgjigjen dot ekonomistët me formim "tradicional" sfidave të reja? Deri në çfarë pike duhen marrë në konsideratë analizat dhe rekomandimet e tyre? A përgatisin universitetet llojin e duhur të ekonomistit, apo duhet pritur një kohë e gjatë mbas shkollës që ata të "axhustohen" me realitetet e reja?

Këto pyetje janë shumë aktuale dhe për Shqipërinë, ku pothuajse të gjithë janë dakord se roli dhe kontributi i ekonomistëve në analizën e shkaqeve të nivelit tonë të zhvillimit apo në "paketat e masave dhe politikave" të propozuara prej tyre për të dalë nga kjo gjendje, janë shumë minimale. Ekonomistët janë ndoshta mungesa më e madhe në stafet qendrore politike, në strukturat drejtuese të institucioneve më të rëndësishme të shtetit, në "përmbajtjen e komenteve dhe informacioneve të masmediave, në debatin intelektual e akademik, në kërkimin shkencor e financimin e tij, në këshillimin e institucionalizuar të Parlamentit apo politikës në përgjithësi, etj. Qoftë duke e shtruar pyetjen nga këndvështrimi se "përse nuk flasin sa duhet ekonomistët shqiptarë për problemet madhore të vendit", qoftë duke e shtruar nga këndvështrimi i kundërt, se "përse nuk dëgjohen ekonomistët shqiptarë?", përgjigja është pak a shumë e njëjta: mendimi ekonomik shqiptar, përveçse të vlerësohet, ka nevojë të modernizohet dhe institucionalizohet në përputhje me tendencat moderne të këtij profesioni e specialiteti. Në front të parë të këtij preokupimi duhet të jenë universitetet dhe fakultetet e ekonomisë dhe biznesit që me curriculumet e tyre t‘i përgjigjen saktësisht kësaj tendence e shqetësimi për llojin dhe cilësinë e ekonomistëve që formojnë e diplomojnë. Dhe duhet të jemi të sigurtë se ky shqetësim nuk është vetëm shqiptar. Në SHBA, Angli, Francë, Itali, Gjermani, Kanada, Australi, Kinë, Indi, Suedi, etj., vende që shquhen për shkolla e universitete nga më cilësorët në fushën e ekonomisë, është hapur tashmë një debat i përgjithshëm mbi këtë shqetësim: "cili është roli i ekonomisë dhe ekonomistëve në shoqëritë moderne?"

Ja një anekdotë që e shpreh qartë këtë pritje të re të shoqërisë nga ekonomistët. "Një mjek, një prift, një ministër dhe një ekonomist u mblodh në një klub golfi. Sipas rregullave të lojës dhe mundësive të fushës, grupi duhet të priste që të mbaronte një grup tjetër përpara tyre dhe pastaj të vazhdonte të përdorte fushat sipas një kalendari dhe orari të paracaktuar. Por gjithçka ecte ngadalë. Grupi para tyre i lëshonte topat pa asnjë drejtim të caktuar, kryente veprime të çuditshme dhe e mbante të bllokuar fushën. Në këto kushte grupi ndjekës e braktis fushën dhe kthehet i indinjuar në zyrat e klubit për t‘u ankuar. Por klubi iu dha një përgjigje që nuk pritej: "na falni që nuk ju njoftuam që sot në klubin tonë po ndodhte diçka speciale, grupi përpara jush përbëhej nga persona të verbër". Reaksionet nuk vonuan. Ministri tha menjëherë: "Më vjen keq..nuk e dija..po i dorëzoj materialet e lojës..duhet të bëjmë diçka për këta njerëz". Prifti tha se në lutjet e tij do ta përsëriste shumë herë "duaje komshiun si veten tënde, pavarësisht nga cilësitë e tij". Mjeku reagoi: "Jam i dëshpëruar që i trajtova kështu pacientët e mi, nuk do të luaj golf për disa javë, por do të shkoj çdo të shtunë të shërbej si vullnetar në pavijonin e të verbërve". Kurse ekonomisti reagoi në mënyrë më lakonike: "Propozoj një mundësi që ata të luajnë një lojë tjetër me anë të së cilës do kënaqen vetë dhe njëkohësisht nuk do pengojnë të tjerët që të luajnë?..kështu harmonizohemi dhe kënaqemi që të gjithë". Sipas B.Salanie, profesor në Columbia University "shoqëria e sotme pret nga ekonomistët që ata jo vetëm të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur, por mbi të gjitha, të bëjnë propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve konkrete të shoqërisë sonë të tilla si papunësia, pagat dhe pensionet e ulëta, çmimet e larta, shërbimet cilësore, rritjen e fuqisë blerëse, kreditë me interes të favorshëm, klimë miqësore shtet-biznes, etj.".

Profili dhe përmbajtja e re që po kërkohet për ekonomistët po analizohet mbështetur në ato që quhen "tre portretet apo figurat e ekonomistëve". Figura e parë është ajo e një ekonomisti teoricien që nëpërmjet matematikës, statistikës apo ekonometrisë tenton që çdo gjë ta "formalizojë në një ekuacion apo formulë të përgjithshme me spektër të gjerë dhe të pakufizuar në kohë e hapësirë". Por, me gjithë sukseset e ekonomistëve të cilësuar si neo-klasikë, të cilët e ngritën në art një profil të tillë ekonomisti, aktualisht të gjithë po binden se kjo mënyrë veprimi për të ndërtuar hipoteza të përgjithshme përmban në vetvete shumë subjektivitet, aq më tepër që vetë ekonomia si shkencë nuk është e ngjashme me shkencat ekzakte si kimia, fizika, etj. Mjafton që për të njëjtin fenomen ekonomik të shtosh disa elementë në model apo të ndryshosh serinë kohore dhe menjëherë gjendesh përballë një tendence tjetër të formalizuar matematikisht.

Profili i dytë i ekonomistëve u konsolidua në vitet ‘60-të të shek. XX, të cilët prodhuan atë që quhet "makroekonomia e aplikuar e tipit keynes-ian", e cila bashkonte në një të vetme modelet ekonometrike me politikat ekonomike. Por, mbas rreth 20-30 vjet ekzistence në podiumet e mendimit dhe politikave ekonomike, zhvillimet ekonomiko-financiare e sociale në vitet ‘80-‘90-të filluan të evidentojnë një sërë anomalish. Kritika dhe rezervat kryesore u fokusuan në "vlerën dhe besueshmërinë e parashikimeve afatmesme dhe afatgjatë" të ecurisë së fenomeneve të tilla si papunësia, rritja apo rënia ekonomike, inflacioni, përqindjet e këmbimit të monedhave, ekuilibrat dhe dizekuilibrat strukturorë, lidhjet shkak-pasojë ndërmjet konsumit dhe investimeve, etj. Politikat ekonomike nuk ndjeheshin të sigurta në objektivat dhe instrumentet kryesore të tyre, duke u mbështetur vetëm në seritë tendenciale makroekonomike.

Profili i tretë i ekonomistëve i takon 15-20 viteve të fundit dhe është ai që e cilëson ekonomistin si "një inxhinier social të politikave ekonomike". Detyra bazë e tij është orientimi sa më i saktë i të gjitha mjeteve dhe instrumenteve që disponojnë autoritetet publike drejt realizimit të disa objektivave themelore në dobi të të gjithë komunitetit, të tilla si: stimulimi i rritjes ekonomike, mbajtja e nivelit të lartë të punësimit, lufta kundër inflacionit, ekuilibri i tregtisë së jashtme, rritja e fuqisë blerëse të popullsisë, stabiliteti i skemave të pensioneve dhe mbrojtjes sociale, cilësia e shërbimeve publike, etj. Në themel të tij, ky evolucion u cilësua si trilogjia e famshme "të parashikosh…të veprosh..të garantosh", dhe u duk se më në fund ekonomistët "e gjetën veten dhe u bënë aq të rëndësishëm sa pretendonin se ishin në shoqëri dhe politikë". Por vitet ‘90-të të shek XX dhe fillimi i mijëvjeçarit të ri dëshmuan për disa kufizime të kësaj trilogjie. Kur vinte fjala për politikat ekonomike, ekonomistët rezultonin të ndarë dhe të fragmentuar: keynes-ianë, monetaristë, klasikë, neoklasikë, institucionalistë, regulacionistë, shumpeter-ianë, liberalë të shkollës austriake, etj. Zgjedhja e politikave ekonomike, larg të qenit rezultat i njohurive shkencore dhe kërkimit bazë, varej gjithnjë e më tepër nga kualicionet dhe ekuilibrat politikë të pushtetit dhe vetë politikës. Kjo i dha fund dhe vetë konceptit të neutralitetit të ekonomistit si "zëdhënës i njohurive dhe koncepteve shkencore". Kjo e bëri ekonomistin palë me politikën dhe për pasojë e relativizoi shumë atë dhe politikat ekonomike të propozuara e mbrojtura prej tij. Ekonomistët u vendosën nën çadrën e politikës dhe në shërbim të saj, ndërkohë që sot, opinioni publik dhe ekspertët e fushës mendojnë se duhet të jetë e kundërta, "duhet të jetë politika ajo që duhet t‘i marrë referencat bazë nga ekonomia dhe ekonomistët". Por, për këtë, veç të tjerave, sot kërkohet një profil dhe figurë e re ekonomistësh, të cilët në përmbajtjen dhe veprimin e tyre t‘i përgjigjen stadit dhe problemeve të reja, me të cilat po përballen shtete, kontinente apo vetë bota në tërësi.

Shekulli XXI ka filluar "punën" edhe për profilizimin e një figure të re ekonomistësh. Ja roli si dhe disa nga tiparet dhe cilësitë e tij kryesore që po kristalizohen në figurën e ekonomistit modern që po modelohet dhe gatuhet në auditorët e universiteteve dhe fakulteteve më bashkëkohore në këtë drejtim.

Së pari, ekonomistët duhet të jenë të aftë "jo vetëm ta evidentojnë fenomenin, por në radhë të parë ta kuptojnë në thelbin e tij dhe të propozojnë konkretisht mjetet dhe mënyrat për transformimin e tij". Në vend që të merren pafund me modele e vërtetime teorike, ata "duhet të preokupohen me problemet më shqetësuese aktuale si papunësia, destabiliteti financiar, varfëria dhe moszhvillimi i shumë rajoneve dhe shteteve të botës, zgjidhja e problemeve të ushqimit dhe energjisë", problemet e cilësisë së jetës, etj.

Së dyti, ekonomistët modernë duhet të "bëhen dishepujt e shpërndarjes së koncepteve dhe praktikave të asaj që cilësohet si shoqëri e qëndrueshme", që garanton lirinë individuale, drejtësinë sociale dhe respektin për natyrën dhe mjedisin në përgjithësi. Ekonomistët duhet të profilizohen në një rol të ri, në atë të "reformatorit social" duke kërkuar një inpakt gjithnjë e më të madh në organizimin e shoqërisë. Kërkimet e fundit në fushën e "Ekonomisë historike" të shoqëruar me një interes gjithnjë në rritje të shoqërisë për rolin dhe rekomandimet e tyre, po hap perspektivën e riintegrimit të ekonomisë në shkencat sociale. Edhe vetë ajo që quhet "ekonomia eksperimentale" po kërkon gjithnjë e më tepër hapësira të reja për të shpjeguar sjelljen e individëve apo grupeve, hapësira që duhet të jenë shumë më të gjera se ato të konturuara dhe propozuara deri tani nga "homo oeconomicus".

Së treti, ekonomistët duhet të fillojnë "të shkrihen" më shumë me shkencat dhe disiplinat e tjera. Ekspertët mendojnë se ekonomisti modern duhet të formohet pa tjetër me njohuri më komplekse. Gjithnjë e më shumë duhet synuar në përgatitjen dhe diplomimin e "ekonomistëve mjedisorë", "ekonomistëve të informacionit", "ekonomistëve të shëndetësisë", "ekonomistëve të arsimit", "ekonomistëve financiarë", "ekonomistëve të teknologjive të reja", "ekonomistëve informaticienë", "ekonomistëve të zhvillimit", "ekonomistëve të transportit", "ekonomistëve urbanë", "ekonomistëve të shërbimeve", "ekonomistëve të turizmit", "ekonomistëve të territorit", "ekonomistëve juristë", etj. Në këtë mënyrë ekonomistët mund të kontribuojnë realisht dhe konkretisht në zhvillimin dhe eficencën e shoqërisë në përgjithësi dhe atë të sektorëve të veçantë në veçanti.

Së katërti, ekonomistët duhet "të kenë këndvështrim e formim sa më global e ndërkombëtar". Ata duhet të jenë në gjendje të njohin dhe të përballen me debatet dhe sfidat që vijnë si pasojë e fenomenit të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, emigracionit ndërkombëtar, gjeopolitikës së naftës në veçanti dhe energjisë në përgjithësi, aksesit në burimet dhe lëndët e para jetësore si uji, tokat bujqësore, pyjet, ajri, mineralet e ndryshme, etj., problemet e ushqimit dhe varfërisë në botë, rolit dhe ndikimit të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare si FMN, OBT, Banka Botërore, FAO, etj., në ekonomitë lokale e rajonale, rolit të ideologjive, fesë dhe ndryshimeve të civilizimeve në zhvillimin dhe kontradiktat e botës, krizat financiare dhe roli i tyre mbi vende e popuj të ndryshëm, efektet e teknikave dhe teknologjive të reja si nanoteknologjitë, organizmat gjenetikisht të modifikueshme, ndikimin por dhe oportunitetet që po prodhon zhvillimi shumë i shpejtë i Kinës, Indisë, Brazilit, etj. Zgjerimi i fenomenit të globalizimit po e bën përditë e më të qartë për të gjithë se "gjithnjë e më pak problemet janë lokale apo nacionale…ato po bëhen përditë e më tepër ndërkombëtare".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›