Rreshen-Kalimashi, "lapsuse" apo falsfikime te qeverise?
Prokuroria dhe kryekoka e saj e re, Ina Rama, do ta kenë shumë të vështirë (ndonëse jo të pamundur nëse frymëzohen nga drejtësia), të zbulojnë të fshehtat e skandalit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Dhe kjo jo vetëm për shkak të presioneve të mundshme të qeverisë mbi prokurorinë, por edhe për faktin e thjeshtë, por mjaft alarmues, se qeveria duket se ka marrë me kohë masat për të fshirë sa më shumë nga gjurmët e skandalit. Tashmë, në faqen e internetit të qeverisë mungojnë vendimet më të rëndësishme të saj lidhur me Rrëshen-Kalimashin. Aty mund të gjesh deri edhe vendime për shtesë pensioni për Fadil Hasën, apo për blerjen e pullave të postës, por nuk gjen dot vendimet më të rëndësishme për investimin më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Dhe është fjala për vendime të tilla si 481 apo 460, që janë ndër më të debatuarat në media dhe që fshehin atë që dyshohet si një falsifikim i kryer nga kabineti Berisha. Të jetë mungesa në "website" e këtyre vendimeve aq të përfolura një rastësi, apo, sikundër i pëlqen ta cilësojnë ministri Basha dhe Kryeministrit të tij Berisha, thjesht një "lapsus"? Apo kemi të bëjmë me një zhdukje gjurmësh në vendin e krimit? Por historia nuk mbaron këtu. Në faqen e internetit të qeverisë Berisha, vendimet nuk mbajnë në kokën e tyre numrin rendor. Përsëri një "lapsus"? Pak si vështirë? Por edhe në qoftë kështu, është një "lapsus" që nuk të lejon të verifikosh se kush vendim është marrë më parë dhe kush më pas. Kjo mangësi i lejon qeverisë që duke ndryshuar datën e një vendimi, ta rendisë atë ku t‘i dojë qejfi në vargun e vendimeve të tjera. Por ndërkaq është po kjo mangësi që nuk i lejon qeverisë dhe ministrit të saj Basha të provojë me fakte se vendimi 481 është marrë në korrik dhe se data 14 qershor që figuron mbi të është thjesht një lapsus dhe jo një falsifikim.
***
Qeveria Berisha është akuzuar nga prokuroria se duke shmangur konkurrimin ka paracaktuar kompaninë holandeze "Ecorys" si këshilluese të vetën lidhur me procedurat e prokurimit pa projekt të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Dyshimet i ngjalli një fakt i pazakontë në punën e një qeverie. Vendimi i 481, që mban datën 14 qershor 2006, autorizon zbatimin e tenderit të hapur ndërkombëtar për segmentin Rrëshen-Kalimash dhe ndërkohë përmend holandezen "Ecorys" si konsulente të këtij prokurimi. Por ndërkaq "pajtimi" si konsulente i kompanisë "Ecorys" figuron i marrë thuajse një muaj më vonë, në 10 korrik, nëpërmjet vendimit 460. Akuza rreth një privilegjimi korruptiv të "Ecorys" u bë edhe më serioze kur për të disatën herë drejtues të lartë të Bankës Botërore hodhën poshtë pretendimin e ministrit Basha, se një gjë e tillë ishte bërë me rekomandimin e ekspertëve (Basha kish përmendur njëfarë "zoti Hamfri") të Bankës Botërore. Kështu e gjithë mbrojtja e Bashës dhe Berishës është reduktuar në interpretimin e datës 14 qershor, në vendimin 460, thjesht si një gabim apo një "lapsus" sikundër ju pëlqen të shprehen. Muaj më parë, në emisionin "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu, në fakt, në daljen e parë në publik për skandalin Rrëshen-Kalimash, ministri Basha, ndërsa debatonte me një përfaqësues të opozitës që e akuzonte për paracaktim të "Ecorys" tha: "Për fat të mirë, në kundërshtim me praktikën tuaj (domethënë të ish-qeverisë socialiste), çdo vendim i qeverisë Berisha, në mënyrë kronologjike ndodhet në website. Mund ta shikosh edhe nga numri, shtoi Basha, duke nënkuptuar se vendimi për pajtimin e "Ecorys" është me numër më të vogël (460) se vendimi 481 që përmend "Ecorys" si konsulente ndërkombëtare të qeverisë Berisha. Ministri Basha tha "për fat të mirë", por më pas doli se "për fat të keq" të tij dhe qeverisë së tij, rezulton krejt e kundërta, pra se në "website"-in e qeverisë nuk ndodhet "çdo vendim i qeverisë Berisha". Dhe si për "fat", akoma më të keq mungojnë pikërisht vendimet 460 dhe 481 të Këshillit të Ministrave. Dhe me zhdukjen apo mospasqyrimin e këtyre vendimeve në internet, bie edhe mbrojtja e Bashës për një lapsus të mundshëm që mund të provohej duke u bazuar te numri rendor dhe kronologjia e vendimeve të qeverisë. Fat i keq, rastësi, "lapsus" është mungesa e këtyre vendimeve në faqen e qeverisë? Përsëri lapsus, rastësi është mungesa e numrave të vendimeve? Ndërkaq, po të vëresh me kujdes akuzën e prokurorisë, të tjera "lapsuse" të mbijnë para syve. Përveç "lapsuseve" të tjera, ka të paktën edhe dy "lapsuse" lidhur me çështjen aq të përfolur të "Ecorys". Në një rast, Ministria e Financës i dërgon në 14 korrik 2006 një shkresë Ministrisë së Punëve Publike lidhur me projektvendimin 460 të qeverisë për të pajtuar si konsulente "Ecorys". Por ndërkaq dimë se projektvendimi në fjalë ishte bërë vendim (460) qysh më 10 korrik. Data 14 korrik është shumë e vonuar. Në këtë datë, ndërsa Ministria e Financave i shpjegon ministrit të atëhershëm të Transporteve, Basha, se prokurimi i "Ecorys" nuk është projektuar në rregull me ligjin, po atë ditë qeveria merrte vendim për tenderin e hapur ndërkombëtar për rrugën Rrëshen-Kalimash, që do të bëhej sipas këshillave të "Ecorys". Lapsus? Po ashtu e vonuar rezulton edhe shkresa e 11 korrikut 2006 e Agjencisë së Prokurimeve Publike, që i shpjegon Ministrisë së Punëve Publike të drejtuar në atë kohë nga Basha, parregullsitë në dosjen e prokurimit të "Ecorys"? Si shpjegohet ky nxitim i qeverisë dhe dikasterit të drejtuar nga Basha për të marrë një vendim, pa marrë më parë përgjigje të detyruar me ligj prej Agjencisë së Prokurimeve dhe dikastereve të tjera prej të cilave rezulton se vetë ministri Basha dhe qeveria Berisha kishin kërkuar një përgjigje? Përsëri lapsus? Apo arrogancë, verbëri dhe nxitim, pas së cilës fshihet një korrupsion dhe falsifikim skandaloz? Është radha e prokurorisë ta zbërthejë këtë rebus "lapsusesh", duke bërë detyrën ndaj ligjit dhe publikut.