Ekspertët: Zonat pranë portit janë të ndotura
Vlorë, kapiteneria e portit paralajmëron njerëzit që të mos lahen në plazhet pranë portit pasi paraqesin probleme
VLORË- Zonat bregdetare që ndodhen pranë portit të qytetit të Vlorës nuk duhet të shfrytëzohen për plazh nga ana e njerëzve. Deklarata vjen nga kapiteneria e portit të Vlorës, pasi këto zona shihen nga specialistët si jo të favorshme për larjen në ujërat e tyre. Por realisht ato frekuentohen shumë nga qytetarët e Vlorës por edhe qyteteve të tjera përreth. Kreu i kapitenerisë së portit të Vlorës, Anastas Goga, pohon se zona të tilla nuk janë të favorshme për familjarët, pasi ujërat e detit që ndodhen pranë porteve nuk premtojnë pastërti maksimale. Sipas tij, këto janë më tepër zona pune dhe hapësira të tilla nuk kanë kushtet optimale për larjet në det. Duke mos pranuar se ka faktorë të dukshëm ndotës, vetë fakti që këto janë zona të mbyllura, duhet t’i përjashtojë ato nga plazhi. Për sa i përket zonave që përjashtohen, specialistët e kapitenerisë nuk japin distanca të përcaktuara, por thjesht ata evidentojnë zonat të cilat është mirë të mos përdoren për plazh, ku për në Vlorë përjashtojnë ato nga porti dhe në vijim tek pjesa e Aulonës. Aktualisht edhe këtë verë ka jo pak plazhistë, të cilët vijojnë të frekuentojnë zona të tilla që janë pranë portit. Familjarët shpesh shfrytëzojnë afërsinë me qytetin, apo cektirën e detit për fëmijët e tyre, duke ndenjur në zona që sipas specialistëve nuk janë plotësisht të favorshme për plazh. A. Peçi