Aksidenti, furgoni plagos rëndë 40-vjeçarin
ELBASAN- Një shtetas ka përfunduar i përplasur nga një furgon teksa udhëtonte me një motor në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme kur 40- vjeçari A. Prifti është marrë përpara nga një furgon me targa të Tiranës, i drejtuar nga shtetasi Xhevair Quka. I aksidentuari,është tërhequr zvarrë për disa metra së bashku me motorin e tij. Ai është transportuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit kur mësohet se për shkak të gjendjes së rëndë, drejtori i spitalit, Luan Tabaku, ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë për të transportuar të aksidentuarin me helikopter. Brenda 60 minutash i riu është transportuar në drejtim të Spitalit Ushtarak. Ndërkohë policia rrugore ka shoqëruar për në komisariat drejtuesin e mjetit. Ky i fundit do të përgjigjet për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ende 40- vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Autostrada Elbasan-Metalurgji është edhe segmenti më problematik për sa i takon aksidenteve. Shkak mbetet shpejtësia dhe zonat e banuara shumë afër këtij segmenti rrugor. B. Nergjoni