E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat në Dajt e Farkë, hetim dokumenteve të pronësisë

Prokuroria e Tiranës do të ekspertojë dokumentat e trojeve të tjetërsuara

TIRANË- Dokumentet e pronave apo trojeve të tjetërsuara në komunën e Dajtit, Farkës dhe Petrelës në Tiranë do t’i nënshtrohen ekspertizës së prokurorisë së Tiranës. “Jemi duke hetuar nëse në këto raste, përveç dhënies në shfrytëzim të pronës, ka edhe falsifikim të dokumenteve”,-bëjnë me dije burime zyrtare pranë Prokurorisë së kryeqytetit, të cilët pohuan se përmes kësaj procedure, grupi hetimor pritet të hedhë më tepër dritë për çështjen, që ka për objekt hetimi tjetërsimin e pronave dhe dhënien në shfrytëzim të tyre për qëllime përfitimi. Mësohet se hetimet për abuzimet me pronat në komunën e Dajtit, Farkës dhe Petrelës kanë nisur pak muaj më parë, pas një sërë kallëzimesh të depozituara në prokurorinë e kryeqytetit nga qytetarë të ndryshëm, të cilët pretendojnë se pasuritë e tyre të paluajtshme janë tjetërsuar. Një tjetër nxitje për prokurorinë ka qenë edhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka vënë në pah abuzimet me trojet në këto zona. Sipas akuzës, abuzimet e këtyre zyrtarëve të komunës janë kryer në mbi 205 hektarë tokë vetëm në komunën e Farkës dhe Dajtit, ndërsa në komunën e Petrelës ende nuk bëhen të ditura shifra, pasi prokuroria po shqyrton dokumentacionin përkatës të tyre për të dalë në konkluzione përfundimtare. Disa muaj më parë, prokuroria e kryeqytetit përfundoi hetimet mbi tjetërsimin e disa pronave në komunën e Kasharit, duke e çuar dosjen për shqyrtim me 10 persona të pandehur dhe mes tyre, edhe tre ish-drejtuesit e kësaj komune nga viti 2000-2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›