E Hënë, 2 Nëntor 2026

Eno Koço: Maks Velo ishte publiku vërtetë i Orkestrës së RTSH

I ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, dirigjenti i njohur Eno Koço kujtoi me vlerësim të veçantë figurën e Maks Velos, duke e cilësuar si një mbështetës të palodhur të Orkestrës së Radios.

“E di kush ka qenë besnik tamam? Maks Velo. Ai vinte vazhdimisht në koncerte, ishte i përkushtuar pas Orkestrës së Radios dhe kënaqej pafundësisht. Kishte një publik të vetin. Do të donim që salla të mbushej më shumë. Është muzikë elitare. Nëse kishte diçka që na afronte me Europën, ishte kjo orkestër. Ne bëjmë muzikë për spektatorin dhe kënaqemi”, u shpreh mjeshtri Koço.

Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes ndaj artit dhe ndikimin që figura si Velo kanë pasur në ruajtjen e vlerave kulturore shqiptare.

Ndërkohë, maestro Koço foli edhe për koncertin e radhës, i cili i kushtohet kompozitorit të shquar Gjon Simoni dhe veprimtarisë së tij të pasur.

“Gjon Simoni është personazhi i këtij koncerti. Kemi katër vepra të tij në program një koncert për violinë, një Suitë, ‘Luli i Vocërr’ me tekst të Migjenit, pjesën ‘Stinët e valëve’ dhe një koncert simfonik për harqe. Gjoni ka punuar gjatë në Radio, ka drejtuar punën, festivalet, koncertet simfonike. Ndante punët, ishte një ekuilibër i jashtëzakonshëm. Jam i nderuar që i kushtoj një koncert Gjon Simonit”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›