E Martë, 3 Nëntor 2026

Erdogan: BE të përfshijë në industrinë e mbrojtjes edhe aleatët jo anëtarë, praktika e Shengen duhet rishikuar

TIRANË, 16 maj/ATSH/- Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka mbajtur fjalë në sesionin plenar të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë me temë “Evropa e Re në një Botë të Re: Unitet-Bashkëpunim-Veprim i Përbashkët”.

Erdogan falënderoi Kryeministrin Rama dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për organizimin e këtij Samiti në Tiranë.

“Jemi mbledhur bashkë për të diskutuar një vizion të ri që do të përcaktojë kontinentin tonë. Tashmë më shumë se kurrë është e rëndësishme që ne të veprojmë të bashkuar mbi bazën e bashkëpunimit dhe të orientuar nga fryma e veprimit të përbashkët. Për të tejkaluar krizën e besimit në arenën ndërkombëtare është e nevojshme që të krijohet një arkitekturë e drejtë dhe gjithpërfshirëse globale qeverisëse”, theksoi ai.

Ky transformim i cili do të bazohet në parimet e pandashmërisë, sigurisë e një ndarje më të barabartë të prosperitetit, vijoi Erdogan duhet pikë së pari të nisë në shtëpinë tonë, në kontinentin europian.

Ai vuri në dukje se janë disa fusha ku mund të bashkëpunojnë dhe me potenciale të jashtëzakonshme si në industrinë e mbrojtjes, energjisë, korridoret e transportit dhe ndërlidhja, tregjet digjitale dhe lëndët minerale kritike.

“Në këto kohë kritike kur diskutojmë të ardhmen e sigurisë evropiane, përpjekjet e BE për të zhvilluar industrinë e saj të mbrojtjes janë vërtet të dobishme. Ne besojmë që këto përpjekje duhet të përfshijnë edhe aleatë që nuk janë anëtarë të BE-së, në mënyrë të tillë që të mos të ndikojë apo të kryejë rolin thelbësor të NATO-së. Me këtë lloj ideje do të ishte në interesin më të mirë të sigurisë europiane. Shumë luftëra dhe konflikte në të shkuarën në Europë na kanë treguar se për çështje jetike si mbrojtja dhe siguria nëse përçahemi bëhemi më të dobët. E nëse bëhemi bashkë bëhemi më të fortë”, nënvizo presidenti turk.

Ai apeloi se duhet të konsultohen për hapat që garantojnë sigurinë ekonomike.

“Përditësimi i bashkimit doganor me BE do të kontribuojë për sigurinë e zinxhirit të furnizimit. Kjo është ajo ç’ka besojmë dhe besojmë po kështu që ky hap do të shtrojë rrugën për mundësi të përbashkëta prodhimi dhe investimesh në sektorë kritik siç janë farmaceutika dhe industria e mbrojtjes”, tha ndër të tjera Erdogan.

Presidenti i Turqisë vuri në dukje se praktika e vizave si ajo e Shengen që kufizojnë lëvizjen e njerëzve, dhe për rrjedhojë dhe të mallrave shërbimeve dhe kapitalit duhet të rishikohet.

“Si një vend me infrastrukturë më të zhvilluar energjetike në rajon, Turqia luan rol të rëndësishëm në Europë në proceset e transformimit të energjisë. Hapat që kemi ndërmarrë në fushën e energjisë së ripërtëritshme, ofrojnë mundësi jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, deklaroi kreu i shtetit turk, Erdogan.

Gjithashtu, ai tha se “jemi në një moment kritik që armët të heshtin dhe paqja të vendoset në Ukrainë”.

Erdogan foli pë negociatata mes Rusisë dhe Ukrainës që po zhvillohen në Turqi. “Në këtë fazë mbështetemi tek të gjithë partnerët tanë për t’i mbajtur të hapura kanalet e dialogut. Turqia do të bëjë pjesën e saj në këtë proces”, deklaroi presidenti turk.

Në fjalën e tij në panelin e Samitit, Erdogan doli edhe për luftën në Gaza duke bërë që të ndërhyhet për të arritur vendosjen e armëpushimit.

Sipas tij, objektivi kryesor duhet të jetë zgjidhja me dy shtete.

“Gaza ka përjetuar një katastrofë të pashembullt humanitare. Çdo ditë, fëmijë e gra masakrohen. Duhet t’i themi ndal kësaj. Qëndrimi i Netanyahut rrezikon të gjithë rajonin tonë. Europa presim që të shfaqë interesin e duhur për vendosjen e armëpushimit në Gazë”, tha ai.

Presidenti i Turqisë tha se në Siri një kapitull i ri e shpresëplotë është çelur. “Deklarata e Trump për të hequr sanksioni është një lajm i mirë. Shpresoj që ky vendim të shërbejë si shembull edhe për vendet e tjera. Shpresojmë të ofrohet mbështetje financiare për rindërtimin e vendit. Unë shpresoj që takimi ynë do të jetë i dobishëm për një Europë të sigurt, të begatë dhe të qëndrueshme”, përfundoi Erdogan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›