Rama: Armiqtë e paqes nuk duhet të na tërheqin që t’u thurim lavdi armëve

TIRANË, 16 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë fjalës së mbajtur në samitin e Komunitetit Politik Europian se “armiqtë e paqes nuk duhet të na tërheqin me vete që t’u thurim lavdi armëve”.
Ndaj Rama tha se “nuk ka moment më të mirë se ky për të na kujtuar se ndërkohë që me të drejtë kemi menduar për Evropën e qëndresës, të mbrojtjes e të kapaciteteve të reja ushtarake, nuk duhet të harrojmë Evropën tjetër, Evropën e iluminizmit, të arsyes njerëzore e të përpjekjes për një paqe të përhershme jo vetëm mes vetes por edhe me armiqtë tanë.
“Ideja e Europës së bashkuar është në mënyrë paradoksale e lashtë dhe krejt e re. Një prej kampionëve të saj ka qenë një francez në shekullin XVIII, Abati i Shën Pjetrit. Në hirin e traktatit të Utrehtit pas vitesh luftë, ai parashikoi bashkimin e shteteve evropiane, në vizion kurajoz, idealist i paqes së përhershme. Projekti i tij përfshinte dhe bashkëpunimin me Rusinë si edhe me Ballkanin dhe shtetet e Mesdheut që asokohe ishin nën sundimin osman, kështu qe më ha mendja që për Abatin vizionar, Turqia e sotme do të ishte po kështu një partner i domosdoshëm në një bashkim paqeje të përhershme, por sigurisht projekti dështoi, u vra nga interesa pa peshë e kapriço të vogla, siç do ta thoshte Volteri e u gëlltit nga frika që e ka mbajtur peng për kaq kohë Evropën”, tha Rama.
Edhe sot, sipas tij, “miti i Europës vazhdon të jetë i pranishëm dhe ngjan Europës së mbledhur këtu sot, në mënyrë të frikshme ka qenë goditëse”.
Kryeministri nënvizoi se ëndrra e paqes së përhershme është zëvendësuar nga makthi i luftës së përhershme. Sipas tij, “në vend të kambanave të paqes dëgjojmë daullet e luftës. E ka një ndjesi të prekshme, sikur mungon fryma ndërkohë që përballemi me forcat që kërcënojnë vetë themelet e Evropës”.
“Agresioni i jashtëm, fragmentimi i brendshëm, fantazmat e miteve imperiale, zhvendosja e aleancave gjeopolitike, paqëndrueshmëria e tregtisë globale dhe vështirësia e thellë, shumë e thellë e kaq shumë njerëzve që të besojmë tek një Evropë e re për kohë të reja. Por besoj se nuk ka moment më të mirë se ky për të na kujtuar se ndërkohë që me të drejtë kemi menduar për Evropën e qëndresës, të mbrojtjes e të kapaciteteve të reja ushtarake, nuk duhet të harrojmë Evropën tjetër, Evropën e iluminizmit, të arsyes njerëzore e të përpjekjes për një paqe të përhershme jo vetëm mes vetes por edhe me armiqtë tanë”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se “kjo Europë që në një moment të caktuar i dha jetë projektit më të pangjashëm në historinë njerëzore, Bashkimit Europian, na mësoi se edhe ish-armiqtë mund të bëheshin bashkë edhe pse me plagë të hapura nga lufta dhe të krijonin një lidhje të përjetshme”.
“Ata kthyen lumenjtë e vjetër të gjakut në rrugë të reja paqeje duke rënë dakord se konflikti mund të zbutej vetëm përmes tregtisë dhe tregtia e lirë është thelbësore për mendje të lira dhe se siguria nuk vjen nga rritja e kërcënimeve, por nga zgjerimi i të drejtave dhe mundësive të barabarta”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ishte ajo Evropë që na mësoi që në mes të konflikteve më të tmerrshme duhet të kemi besim te humanizmi i armiqve tanë”.
“Në të kundërt ashtu siç na kujton Immanuel Kant ‘kur armiqësitë degjenerojnë në luftë shfarosjeje, e gjithë drejtësia shkatërrohet dhe paqja e përhershme bëhet varreza e njerëzimit'”, shtoi ai.