E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan: Turqia mbështet anëtarësimin e Shqipërisë

Erdogan shprehet se vështrimet e Turqisë dhe Shqipërisë nga ana politike përputhen me njëra tjetrën

TIRANË- Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka zhvilluar dje vizitën e tij të dytë në Shqipëri. Pas tre vjetësh, Erdogan është rikthyer në vendin tonë për të konfirmuar ndër të tjera se, vështrimet e Turqisë dhe Shqipërisë në politikë përputhen me njëri-tjetrin dhe mes dy vendeve nuk ka asnjë problem për këtë çështje. Një gjë e tillë është pohuar pas takimit nga vetë kryeministri turk, Erdogan, i cili shprehu mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe marrjen e ftesës në samitin e Bukureshtit. "Dëshiroj të ritheksoj edhe një herë vendosmërinë e Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në Samitin e Bukureshtit, i cili do të zhvillohet në prill të këtij viti, ne do të mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, krahas anëtarësimit të Kroacisë dhe Maqedonisë. Vështrimet tona në politikë përputhen me njëri-tjetrin dhe midis dy vendeve tona nuk ka asnjë problem për këtë çështje", është shprehur Erdogan ndërsa vlerësoi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme. Të njëjtën gjë ka bërë edhe kryeministri shqiptar Berisha, i cili duke vlerësuar kontributin e Turqisë në investime dhe përpjekjet e vendit tonë për tu anëtarësuar në NATO, deklaroi se Shqipëria mbështet kandidaturën e Turqisë për në Këshillin e Sigurimit. "Shqipëria mbështet kandidaturën e Turqisë në Këshillin e Sigurimit. Është bindja ime se finaliteti territorial i Bashkimit Evropian nuk do të mund të plotësohet pa integrimin e Turqisë në BE", është shprehur Berisha, ndërsa Erdogan ka shprehur falënderimet e tij për ndihmën që do të japë vendi ynë.

Investimet

Një pjesë të rëndësishme të diskutimeve mes delegacioneve kanë zënë çështjet ekonomike dhe investimet e Turqisë në Shqipëri. Dy kryeministrat kanë pohuar se, investimet turke ndër vite janë rritur dhe kanë shkuar në shifrën e 620 milion dollarëve sot nga 38 që kanë qenë në vitin 2002. Një ndër çështjet që paraqet më shumë interes për vendin tonë është dhe ajo që lidhet me gazin. Gjatë konferencës, kreu i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohjen e tij për interesimin e Kryeministrit Erdogan për të inkurajuar sipërmarrjen e gazit të Turqisë, BOTASH për të bashkëpunuar me konsorciumin zviceran IGL që gazsjellësi të kalojë në territorin e Shqipërisë. "Për sa i përket çështjes së gazit natyror është ende i vlefshëm premtimi ynë që gazsjellësi që siguron gazin nga deti Kaspik e që kalon nga Turqia, Greqia dhe shkon në Itali të degëzohet drejt Shqipërisë. Unë do t'ia përsëris këtë kërkesë, institucionit tonë përkatës në këtë fushë", është shprehur kreu i qeverisë turke Erdogan. Nën praninë e dy kryeministrave është nënshkruar dje marrëveshja "Program kuadër për bashkëpunimin në fushat e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit, rinisë dhe sporteve, masmedias dhe kontakteve midis njerëzve", nga ministrat e arsimit të dy vendeve, Genc Pollo dhe Nimet Çubukçu.

 

Berisha-Erdogan nuk pranojnë pyetje

TIRANË- Si rrallë herë, gjatë konferencës për shtyp të Kryeministri Berisha dhe kryeministrit turk Erdogan dje nuk janë lejuar pyetjet nga përfaqësuesit e medias. Ndonëse një vizitë e rëndësishme, Berisha dhe Erdogan nuk janë pyetur dje nga gazetarët lidhur me atë çfarë ata kanë diskutuar gjatë takimit kokë më kokë apo atij mes dy delegacioneve. Shkak për këtë publikisht u njoftua se është bërë axhenda e ngjeshur e takimeve të kryeministrit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe pamjaftueshmëria e kohës. Ndryshe nga sa ishte parashikuar në axhendë, takimi mes dy delegacioneve nuk ka përfunduar në kohë dhe në orën 10.45 ishte parashikuar të nënshkruhej marrëveshja nga dy ministrat e Arsimit. Palët kanë dalë nga takimi mes delegacioneve pas orës 11, më pas është nënshkruar marrëveshja dhe pastaj kanë marrë fjalën dy kryeministrat. Duke qenë se në orën 11.20 ishte parashikuar takimi me kreun e PS-së, Edi Rama, i cili sërish u shty në kohë, dy kryeministrat janë larguar nga salla e konferencave pa u pyetur nga gazetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›