Raporti i Avokatit të Popullit, lum ankesash ndaj administratës
Raporti verën ankesa të konsiderueshme ndaj çdo ministrie dhe shkelje të rënda ligjore
TIRANË- Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në Shqipëri vazhdojnë të shkelen ende në një masë të madhe nga institucionet shtetërore. Avokati i Popullit, një institucion i pavarur kushtetues, ka depozituar ditët e fundit në Kuvend raportin e veprimtarisë së tij përgjatë vitit 2007, ku dhe vë theksin tek rastet e shumta kur qytetarët kanë shprehur pakënaqësi për respektimin e të drejtave të tyre që burojnë nga kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Në një material voluminoz prej 308 faqesh, Avokati i Popullit ka paraqitur në mënyrë të detajuar të gjithë veprimtarinë e tij, si në funksion të pritjes dhe trajtimit të ankesave të qytetarëve ashtu edhe në drejtim të përmirësimit të aktivitetit të vet apo dhe në marrëdhëniet me institucionet e tjera. Gjatë vitit 2007 siç dhe bënë të ditur ky raport, institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar 4233 aneksa të ardhura nga qytetarët e thjeshtë. Nga i gjithë totali i ankesave ky institucion ka mundur të shqyrtojë 2567 ankesa, nga të cilat 1155 kanë rezultuar jashtë juridiksionit dhe kompetencës. Ndërkohë që në 692 raste ankesat kanë rezultuar të të padrejta dhe vetëm 692 ose 27 për qind e tyre janë zgjidhur në favor të ankimuesve. Një rëndësi të veçantë në punën e vet ky institucion i ka kushtuar marrëdhënieve me Kuvendin e Shqipërisë dhe sidomos përsa i përket mendimeve për projektligje të veçantë. Në raportin vet institucioni i Avokatit të Popullit bënë një prezantim të detajuar për ankesat e qytetarëve për secilin institucion të administratës publike, të ndara sipas ministrive dhe enteve të tjera publike.
Këshilli i Ministrave
Institucioni më i lartë ekzekutiv Këshilli i Ministrave ka qenë objekt i një sërë pretendimesh nga qytetarë të ndryshëm për një sërë vendimmarrjesh gjatë vitit 2007. Bëhet fjalë 37 ankesa gjithsej, nga të cilat 25 i përkasin vet qeverisë, ndërsa pjesa tjetër janë ankesa ndaj grupit mbikqyrës të Firmave Piramidale dhe Institutit të Integrimit tëish-të përndjekurve politikë, dy ente këto që funksionojnë pranë Këshillit të Ministrave. Për shumicën e këtyre rasteve, Avokati i Popullit i ka nisë sugjerime, propozime apo informacione të ndryshme.
Ministria e Ekonomisë
Për vitin 2007 në institucionin e Avokatit të Popullit janë paraqitur 73 ankesa vetëm për veprimtarinë e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Ndër ankesat kryesore të cilat janë paraqitur në lidhje me vendimmarrjen e kësaj ministrie është ajo që ka të bëj me hidrocentralin "Egnatia" në Hotolisht të Librazhdit. Sipas Avokatit të Popullit, Ministria e Ekonomisë refuzoi fillimisht në mënyrë të paligjshme shoqërinë"Remi shpk". Me ndërhyrjen edhe të Avokatit të Popullit ministria e Ekonomisë dhe vet Ministri Genc Ruli pranoi më së fundi që të marrë vendimin pro kësaj shoqërie. Një tjetër shkelje e kësaj ministrie është edhe ajo e konstatuar në qytetin e Beratit ku jashtë çdo kontrolli dhe sigurie, qëndronte një sasi e madhe amoniaku e cila kërcënonte jetën e qytetarëve. Një problematikë tjetër e konstatuar nga ky raport dhe që ka lidhje me këtë ministri është edhe rasti i abuzimit me kompetencat për propozimin e kontratave konçensionare. Ndërkohë që një tjetër çështje e kontestuar nga ky institucion ka të bëj edhe me dhënien KESH-it të kompetencës së vënies së gjobave për konsumatorët që nuk zbatojnë kontratat. Sipas Avokatit të Popullit, dhënia KESH-it të një kompetence të tillë është i paligjshëm pasi i atribuon kompetenca ligjore një strukture pranë një shoqërie tregtare. Ndërkohë që ndaj KESH konstatohen rreth 70 ankesa për mënyrën e veprimtarisë së saj.
Ish-të përndjekurit
Mjaft ankesa janë paraqitur pranë institucionit të Avokatit të Popullit nga ish të përndjekurit politikë, ku një problem shqetësues mbetet ai i mospërfitimit të statusit të ish përndjekurit politikë. Në raport thuhet se ky problem prek rreth 700 persona dhe është krijuar nga mosfunksionimi i Komisionit Shtetëror Trepalësh si organi kompetent për dhënien e së drejtës së Statusit të ish të përndjekurit politik. Komisioni, thuhet në raport, ka funksionuar gjatë periudhës nëntor 1993-korrik 1997, por jo më pas edhe pse ekzistenca e tij ka qenë detyrim ligjor. Për këtë bëhet e ditur se, Avokati i Popullit i ka rekomanduar ish/zvkryeministrit dhe qeverisë përshpejtimin e procedurave për ngritjen e Komisionit Tre Palësh si dhe nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të ligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për statusin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist", i ndryshuar", ndonëse zgjidhja përfundimtare e kësaj çështjeje nuk është arritur akoma.
Ankesat për burgjet, paraburgimet dhe administratën e burgjeve
98 ankesa në lidhje me burgjet dhe personelin e burgjeve janë depozituar pranë institucionit të Avokatit të Popullit gjatë vitit 2007. Gjatë këtij viti, pas vizitave që kanë bërë punonjësit e Avokatit të Popullit, rezulton se në fund të vitit 2007 ka pasur 4554 të burgosur dhe të paraburgosur në burgjet dhe paraburgimet e sistemit shqiptar të burgjeve, ndërkohë që kapaciteti i tyre është për 3616 të burgosur. Pra, janë 938 të burgosur mbi kapacitetin, dhe duke qenë se në fund të vitit 2006 ishin 4566 persona në burgje, për vitin 2007 janë 12 persona më pak se në vitin 2006. Përsa i përket ankesave, në raport thuhet se, mjaft të burgosur janë ankuar se mbahen padrejtësisht në dhomat e izolimit të komisariateve të policisë të policisë, megjithëse gjykatat kanë vendosur si masë sigurimi ndaj tyre "arrestin me burg". "Një nga problemet kryesore në sistemin tonë të burgjeve mbetet niveli i mbipopullimit. Mbipopullimi mund të konsiderohet si trajtim çnjerëzor në shumë burgje dhe paraburgime", thuhet në raport. Një problem që trajtohet në raport është ai i ushtrimit të dhunës dhe shkeljeve të tjera nga Policia e Burgjeve, ku thuhet se, edhe gjatë vitit 2007 është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike nga policia e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Për probleme që i përkasin kontrolleve në burgje dhe paraburgimeve, avokati i popullit ka bërë dy rekomandime për marrjen e masave, por në raport thuhet se, "nga ana e ish drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Saimir Shehri jo vetëm që nuk është marrë asnjë masë për këtë qëllim, por nuk ka marrë as mundimin për të përmbushur detyrimin ligjor për të kthyer përgjigjen e këtyre rekomandimeve". Raporti vë theksin edhe në transferimet e padrejta nga njërin burg në tjetrin, ku edhe gjatë vitit 2007 janë konstatuar një numër i madh transferimesh të tilla të bëra nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Sipas raportit, si burg ku transferohen të dënuarit e vështirë dhe të rrezikshëm është burgu i Burrelit dhe Tepelenës. Për këtë arsye, Avokati i Popullit përsërit propozimin që të mbyllet burgu i Burrelit, duke qenë se ai nuk përmbush as standardet më minimale për trajtimin e të burgosurve.
Ankesat për Hipotekat
Pranë Avokatit të Popullit janë paraqitur gjatë vitit 2007 147 ankesa. Ankesat ne fjale, kanë pasur si objekt pretendime për zvarritje në regjistrimin e pasurisë së tyre së paluajtshme. Gjatë shqyrtimit të ankesave, Avokati i Popullit ka arritur në konkluzion se, disa prej akteve nënligjore të miratuara nga qeveria për ZRPP-në, nuk kanë ndikuar në përmirësimin e veprimtarisë së këtyre zyrave ndaj qytetarëve. Madje, në raport thuhet se janë miratuar disa akte nënligjore që bien ndesh me parimet e së drejtës dhe dispozitave të ligjeve organike. Në këtë kuadër, në raport përmendet udhëzimi i qeverisë "Për miratimin e procedurës së fshirjes së regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre që krijojnë mbivendosje në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme". Akte të tilla, thuhet në raport, i hapin rrugë abuzimit nga nëpunës të caktuar të ZRPP, të cilët mund të vendosin padrejtësisht për fshirjen e pronave, të cilat qytetarët mund ti kenë fituar në mënyra të ligjshme.
Ankesat për Gjykatat
Përsa i përket gjykatave, për vitin 2007 janë bërë me shkrim gjithsej 282 ankesa, nga të cilat 182 kanë qenë kundër vendimeve gjyqësore dhe ndaj janë refuzuar. Duke u bazuar në këto ankesa, raporti i Avokatit të Popullit thekson se, legjislacioni penal ka zbrazëti pasi mundësia për të pasur një avokat falas të siguruara nga shtetit njihet vetëm në shkallë të parë dhe të dytë të gjykimit, dhe jo në gjykimin në Gjykatën e Lartë, duke i mohuar kështu të drejtën e njohur me Kushtetutë të të pandehurit për tu mbrojtur gjatë gjykimit në Gjykatën e Lartë. Lidhur me ankesat për veprime të paligjshme të policisë, raporti vëren se gjatë vitit 2007 ka pasur 104 ankesa të tilla, ku vetëm 36 prej tyre janë konsideruar të drejta.
Ankesa ndaj ministrisë së Brendshme
Viti 2007 ka shënuar pranë Avokatit të Popullit 88 ankesa nga 230 oficerë, policë dhe punonjës të tjerë të strukturave mbështetëse të ministrisë së Brendshme për largime të padrejta nga puna. Pas verifikimeve të bëra, Avokati i Popullit ka arritur në përfundimin se, për 26 punonjës policie, ish drejtues, specialistë apo policisë, midis të cilëve edhe kryekomisar, ishin larguar padrejtësisht dhe jashtë kritereve ligjore. Për këtë arsye janë bërë rekomandime për rikthimin e tyre në punë, të cilat nuk janë zbatuar. Në mjaft ankesa pretendohet se, motivacioni i largimit "për shkak të shkurtimit të funksionit organik" ishte i pavërtetë sepse nuk janë shkurtuar funksionet ku ata kanë qenë, por në vend të tyre janë emëruar persona të tjerë. Po ashtu, në ankesa ngrihet problemi se gjatë kryerjes së reformës dhe ndryshimeve strukturore në Policinë e Shtetit, nga strukturat përkatëse emëruese nuk janë mbajtur parasysh kriteret profesionale, arsimi, aftësitë, vlerësimet e punës dhe mosha, si për ata që janë larguar, ashtu edhe për ata që janë riemëruar në polici.
Ministria e Mbrojtjes
Një pjesë e madhe e ankesave që janë bërë gjatë vitit 2007 për ministrinë e Mbrojtjes, rreth 141, janë bërë nga ushtarakët apo ish ushtarakët që ndërpresin karrierën apo e kanë ndërprerë atë kohë më parë në kuadrin e reformës në Forcat e Armatosura qysh nga viti 1992 e në vazhdim. Këta persona, thuhet në raport, ankohen se jo vetëm që masa e pensionit të tyre është më e ulët se pensioni i kolegëve të tyre që kanë dalë në pension pas vitit 1993, edhe se kanë qenë të barazvlefshëm në detyrë, por ata kundërshtojnë edhe iniciativën e Kryeministrit për të ndryshuar ligjin "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë".