Ermal Kuqo nuk frikësohet nga Beogradi
Në kuadër të Euroligës, të enjten, basketbollisti shqiptar Ermal Kuqo dhe ekipi i tij, Efes Pilsen, ka luajtur në fushën e Partizanit në Beograd. Në një intervistë për të përditshmen serbe "Press", ai ka thënë se pavarësisht faktit që është shqiptar, nuk e ka pasur problem që të udhëtojë drejt Serbisë. Por, krejt ndryshe nga sportisti që përfaqësohet me Turqinë, kanë vepruar katër basketbollistët amerikanë të Efesit, Drev Nikolas, Loren Vuds, Rashad Rajt dhe Andre Hatson, të cilët nuk pranuan të shkojnë në kryeqytetin serb, pasi ishin të frikësuar për sigurinë e tyre. Në bazë të rregullave të Euroligës, një ekip duhet të paraqitet me të paktën 10 basketbollistë në parket dhe Efes Pilsenit iu desh që të merrte leje speciale nga ULEB, pasi kundër Partizanit kishte vetëm tetë lojtarë në dispozicion. Kuqo ka pohuar se nuk mund t‘i respektojë sportistët që e lënë ekipin para një ndeshjeje të rëndësishme. I përgjysmuar nga mungesat e amerikanëve, Efes Pilsen u mposht me rezultatin 78:65 nga Partizani. Në intervistën për gazetën serbe, Kuqo ka treguar se është rritur me basketbollin jugosllav dhe për të nuk ka gjë më të bukur se ky sport. 29-vjeçari deklaroi se e urren basketbollin amerikan (NBA), ndërsa sipas tij, basketbolli i vërtetë gjithmonë është luajtur në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Ai nuk e ka përjashtuar as mundësinë që një ditë të luajë për ndonjë ekip serb.
A nuk keni mundur që t‘i bindni katër bashkëlojtarët tuaj amerikanë që të vijnë në Beograd?
Unë jam shqiptar dhe nëse për mua nuk ka qenë problem që në këtë moment të vij në Serbi, pse do të ishte për ta? Ai ishte vendim i tyre dhe unë mund ta kuptoj se ata kanë pasur pak frikë, por ne duhet të jemi të gatshëm për gjithçka. Nuk di çfarë të them, drejtuesit e klubit do të vendosin se çfarë do të bëjnë me ta. Por nuk mund t‘i respektoj lojtarët, të cilët e lënë ekipin para një ndeshjeje të rëndësishme.
Si ju duk atmosfera në palestrën "Pionir"?
Më duhet t‘i përgëzoj tifozët e Partizanit. Më duhet t‘i falënderoj për atmosferën që krijuan. Ishin të mrekullueshëm. Për mua "Pionir" është kishë e basketbollit. Kur isha vetëm 7 vjeç, shikoja në televizionin jugosllav me babain tim ndeshjet e Partizanit dhe Jugoplastikës. Për mua ishte nder që të luaja këtu.
Si ka mundësi që flisni kaq mirë serbisht, keni jetuar në Kosovë?
Kam luajtur një vit në Split, e më pas në Slloveni. Bashkëshorten e kam kroate, ajo është nga Spliti, kështu që jam mësuar. Nuk jam nga Kosova.
Pavarësisht se jeni shqiptar, a mund ta imagjinoni veten duke luajtur për ndonjë klub serb, Partizanin për shembull?
Uh, do ta imagjinoja... nuk po di.
A do të dëshironit?
Mendoj... se do të doja. Është e mundur që një ditë kjo të ndodhë, megjithëse për momentin jam mirë te Efes. Për më tepër, babai im ka luajtur për Partizanin e Tiranës dhe në vitin 1977 ai ka luajtur kundër Partizanit të Beogradit. Idhulli i tij ishte Drazen Dalipagiç. Unë jam rritur me basketbollin jugosllav dhe për mua nuk ka gjë më të bukur se basketbolli. Ju them sinqerisht, se e urrej basketbollin amerikan NBA. Për mua basketbolli i vërtetë gjithmonë është luajtur këtu, në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Si e vlerësoni ekipin e Partizanit?
E përgëzoj Partizanin, luan basketboll cilësor, ka basketbollistë të rinj, trajner të nivelit të lartë dhe për mendimin tim është një nga skuadrat më të mira në Evropë. Është e vështirë që të fitosh kundër ekipeve që luajnë basketboll të shkëlqyer, e Partizani luan shkëlqyeshëm.
Çfarë do të ndodhë me Efesin në periudhën e ardhshme?
Deri pardje kemi pasur ekip të mirë, ndërsa momentalisht nuk e di. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Sezoni është i gjatë, kemi shumë ndeshje për të luajtur, si në Euroligë, ashtu edhe në kampionatin turk. Për momentin po vazhdojmë të përfaqësohemi me 8 lojtarë. Shpresoj që drejtuesit e klubit do të gjejnë ndonjë basketbollist të ri.