Portman, vajza e "Leon" që po çmend Hollivudin
Nuk ka dhënë shumë intervista, madje më të shumtat i dha në fillimet e hershme të karrierës së saj, kur me rolin e vajzës rebele e të çuditshme në "Leon" fitoi zemrën e publikut. "Intervistën e parë e kam dhënë në moshën 14-vjeçare. "Leon" sapo kishte dalë në sallat e kinemasë, kishte bërë bujë dhe sigurisht që gazetarët rendën të më intervistonin. Por më pas nuk kam preferuar që të jap shumë hollësi", thotë bukuroshja, 26-vjeçarja Portman, e cila ruan të njëjtën ëmbëlsi e brishtësi të viteve të fëmijërisë. Dikur kishte një fytyrë me quka, sot gjithçka është e bardhë: fytyra, dhëmbët, madje edhe veshja. Dikur Portman jetonte në Nju Jork, sot edhe për arsye pune jeton në Hollivud. Aktualisht është me xhirime për një film të ri, në të cilin i duhet të luajë rolin e një nëne. "Kam luajtur gjithmonë role të rriturish", thotë Portman. Madje edhe në "Leon" ajo nuk ishte një fëmijë i zakonshëm, por një fëmijë i rritur para kohe, që mendonte e sillej si ata, madje më e rritur se vetë të rriturit". "Sot më ndodh e kundërta. Njerëzit mendojnë se nuk i ngjaj një të rriture dhe se jam ende si fëmijë. Ndoshta nga pamja dhe sytë që i kam gjithmonë të qeshur dhe të qashtër", vazhdon aktorja. Ajo vetë nuk ka fëmijë, por ka shumë miq që kanë dhe kur mban në krahë këta fëmijë ndihet pak nënë dhe pse jo nis të mendojë për mëmësinë. Aktualisht ka një marrëdhënie shumë serioze me një model britanik, me të cilin për herë të parë ëndërron familjen. "Si fëmijë i vetëm kam dashur gjithmonë të kem motra dhe vëllezër dhe isha betuar që të mos kisha kurrë të dashur që të ishin fëmijë të vetëm, si edhe unë, por fati ka dashur të kundërtën. Unë kam takuar vetëm fëmijë të vetëm. Dikur, në të ri të saj, Portman u shkollua për disa kohë në Universitetin e famshëm të Harvardit, të cilin e braktisi për pasionin e saj kinematografik. Në këtë shkollë, 70% e studentëve ishin fëmijë të vetëm. "Dashuria ime e parë ishte gjithashtu një djalë që nuk kishte as motra e as vëllezër". Portman po kalon një moment të lumtur, si në jetën personale, ashtu edhe në atë profesionale. Që në fillim ka qenë një krijesë që u ra në sy të gjithëve, për shkak të fytyrës, trupit të imët, syve. Aktualisht konsiderohet si aktorja më elegante ndër aktoret e reja të Hollivudit. Për këtë ka nisur të jetë edhe ndër më të kërkuarat. Por Portman është shumë më tepër se një artiste bukuroshe dhe me fat. Ajo është edhe një bamirëse e vërtetë. Me një nënë artiste dhe babanë mjek hebre, të bërit mirë dhe të ndihmuarit të tjerëve ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së aktores. Ajo ka prodhuar albumin e parë iTune për bamirësi, prej të cilit arriti që të grumbullojë një sasi të madhe të hollash, të cilat ia dhuroi Fondacionit për Asistencë Ndërkombëtare, që merret me dhënien e kredive të vogla dhe me përqindje të ulëta për ekonomitë e vendeve të varfra. Një vit më parë, Portman shkoi në Ruanda për të bërë një dokumentar në lidhje me gorillat që janë kthyer në specie në zhdukje e sipër dhe e gjitha kjo falas për kanalin "Discovery Channel". Këtë vit do të realizojë disa filma, në qendër të të cilëve do të jenë problemet sociale dhe që promovojnë ndryshime sociale. Në këtë rast, roli i saj do të jetë ai i regjisores. Përpjekja e parë në këtë fushë do të jetë adoptimi i një historie të njohur në Izrael: "Përrallë për dashurinë dhe errësirën" nga Amos Oz.
Në vitin 2002 ajo drejtoi së bashku me Britni Spirs një mbrëmje artistike me rastin e Vitit të Ri. Po çfarë bënin bashkë këto dy persona krejtësisht të ndryshëm? "Kjo ishte një detyrë që duhet ta bënim. Unë e njoh pak Britnin dhe kam përshtypje shumë të mira për të dhe më vjen shumë keq nga mënyra se si po e trajtojnë tani në këtë moment dobësie. Është kaq e trishtueshme", thotë Portman. "Herë pas here interesohem për thashethemet e botës ku jetoj, por kur shoh Britnin në atë gjendje ndërroj kanal". Për sa i takon vetes së saj, ajo thotë se ndihet jashtëzakonisht me fat që i ka shpëtuar çmendurisë së paparacëve, videove dhe blogjeve. "Kam qenë gjithmonë e kujdesshme që të jem e tërhequr dhe të mos jap material për thashetheme të ndyra, pasi nuk është e lehtë që t‘u shpëtosh kurtheve dhe jetës së shthurur kur je artiste në Hollivud. Së fundi, sapo ka promovuar një film, në të cilën luan me një tjetër yll të momentit, Skarlet Johanson. Filmi quhet "The other Boylen girl" dhe po korr shumë sukses në kinematë amerikane, ku po shfaqet fillimisht. "Është një film mbi dashurinë dhe konkurrencën në kohën e Tudorit. Është një film psikologjik i trajtuar nga një këndvështrim femëror", rrëfen Portman, e cila thotë se jashtë filmit ka gjetur te Skarlet një mikeshë të vërtetë. "Skarlet është një vajzë e jashtëzakonshme, di të të qëndrojë pranë dhe të të dëgjojë me vëmendje. Është një njeri i rrallë dhe ata që i qëndrojnë pranë janë me fat". Për Portman, aktori me të cilin do t‘i pëlqente që të luante është Stefen Fry, me të cilin ka luajtur në filmin "V for Vendeta". "Doja të kaloja gjithë kohën me të. Profesionalisht ishte një shkollë e shkëlqyer", thotë Portman. Mes planeve për të ardhmen dhe ëndrrës që një ditë të ketë familjen e fëmijët e saj, Portmanit i pëlqen që të zbavitet duke lexuar një libër të mirë, apo duke bërë shëtitje në vende ku ajri është ende i pastër. "Nuk më pëlqen të shoh televizor, apo të shkruaj e-mail-e e të gërmoj në internet. Jam e modës së vjetër, i dua gjërat natyrale". Dhe vetë Portman është vlerësuar pikërisht për natyralitetin e saj të pakrahasueshëm.