E Diel, 1 Nëntor 2026

LINDJA E NJERIUT

Krishterimi është nga dukuritë më të përbotshme, një botëkuptim planetar, që për njëzet shekuj zotëron idetë e njerëzve dhe të popujve. Ai nuk mund të mohohet siç nuk mund të mohohet historia njerëzore. Shqipëria është një nga vendet me krishterim nga më të lashtët, pra ka një krishterim gjenetik, një fermentim të brendshëm historik, aq sa i mençuri i madh, Milan Shuflai, ka thënë se dy qendra ilire, Salona dhe Durrës,i janë djepe nga më të vjetrit të krishterimit në Evropë. Një nga temat më të parapëlqyera biblike është LINDJA E KRISHTIT. Afresku i Onufrit me këtë temë është tronditës. Gjithashtu edhe ikona, e cila përbën miniaturat më të shkëlqyera të tij. Lindja e Krishtit nga Onufri është konceptuar si legjendë e madhërishme popullore. Në qendër të kompozimit është Maria lehonë. Mbi foshnjën, brenda në shpellë është lopa dhe gomari, kafshët shtëpiake të njerëzve të thjeshtë. Në peizazhin shkëmbor ndrit ylli, drejt të cilit i kanë sytë tre Kalorësit Magë...

E veçanta e skenës është fryma e optimizmit. E festës. Mjedisi shqiptar! Lindja e Krishtit për Onufrin në këtë mënyrë është jo aq lindja e Perëndisë sesa lindja e një njeriu. Është fjala për çdo njeri. Pa e ditur se do të bëhet Mbinjeri. Është fjala për vetë fëmijën Onufër. Ashtu siç është fjala për vetë fëmijët e një populli të tërë. Madje dhe të njerëzimit.
SAKRIFICA E ABRAHAMIT

Kostur. Kisha e Shën Apostujve. Afresket...

Këtu Onufri ka pikturuar një skenë nga më tërheqëset dhe mbresëlënëset. SAKRIFICËN E ABRAHAMIT. Perëndia i kërkoi Abrahamit që për të treguar dashurinë ndaj tij, të therte djalin e vetëm. Abrahami i devotshëm rrëmbeu thikën. E ngriti mbi djalin. Ndërkohë, një engjëll ndërpret veprimin e skajshëm. Na duket për një moment se po jetojmë eposin homerik. Agamemnoni e çoi në altarin e vdekjes dhe të flijimit vajzën e tij të dashur Efigjeninë. Miti grek thotë se Artemisa, në çastin e fundit e zëvendësoi vajzën me një sorkadhe. Riti i sakrificës ka sunduar dhe torturuar në shekuj mendjet e ndërgjegjet e popujve. Skena onufriane është plot trazime me një thjeshtësi, por dhe me një dhimbje të madhe për gjestin e Abrahamit. Është vërtetimi i devotshmërisë ndaj hyjnores dhe i vuajtjes së llahtarshme ndaj ndjenjave njerëzore.

Në mitin e Rozafës shqiptare bëjnë të kundërtën me një krenari të pabesueshme, blasfemuese. Legjenda muros një femër të gjallë e krejtësisht të pafajshme. Ndaj kombi shqiptar vuan kompleksin eskilian të "Rozafës" në shekuj, një tjetërsim kuptimor i sakrificës. Ndonëse si jehonë biblike mbetet edhe proverbi "shqiptari kur jep fjalën, ther djalën", proverb thjesht patetik.
KALORËSIT

VALSH. Kisha e Shën Premtes. Afresket. Skena me kalorës.

IKONA. Skena me kalorës. Shën Gjergji. Dhimitri me Kironin.

Në pikturat e kryemjeshtrit kalorësit janë motive të parapëlqyera. S‘është e vështirë të kuptojmë. Onufri ka figuruar tipa të afërt me bashkëkohësit apo paraardhësit heroikë të shekullit kastriotas. Të bëjnë përshtypje kuajt e hakërruar. Në lëvizje me jelet e ngritura. Qëndrimi i hijshëm dhe elegant i kalorësit. Të kujtojnë deri diku tablotë me kalorës të Paolo Uçelos. Mjeshtëria e Onufrit këtu është tronditëse. Heshtja e humbet pushtetin mbi pikturën.
APOLOGJIA E SHPËTIMTARIT

Valsh, Kisha e Shën Premtes

Afresku madhështor i "Zbritjes së Krishtit në Ferr"

Në këtë afresk Onufri bën apologjinë e shpëtimit. Vetëkuptohet që kjo bëhet nga Shpëtimtari: Mesia. Është një imazh jo aq biblik se sa i ndërgjegjes popullore. Shpëtimtari thyen dyert e urryera të Ferrit. Shkel me këmbët e tij kryezotëruesin e së Keqes: Djallin. Figura e djallit është pikturuar e karikaturizuar; qenie sa antropomorfe aq edhe zoomorfe. E pështirë. E urrejtshme. Krishti me duart e tij ngre Adamin dhe të Urtët e Mëdhenj të tjerë të dënuar në Ferr. Ansambël shumëfigurësh, ku shpëtimtari vjen nga sipër. Vertikalisht. Shkatërron strukturën e Ferrit. Vetë simbolin e tij.

DAVIDIADA

Afresk. Lufta e Davidit me Goliathin

Jo rastësisht kryevepra e Onufrit është portreti i Davidit. Davidi përfaqëson fitoren e njeriut kundër monstrës me emrin Goliath. Është një lloj Prometheu, që ndonëse lëviz nëpër subjekte biblike, nuk e ka humbur identitetin antik. Humanizmi evropian bëri që të shkëlqejë figura e Davidit, kryepersonazhi i artit, i shpirtit dhe i kryengritjes. Davidi është sfida e Njeriut të Ri. Kundër shtypjes, arrogancës së padurueshme të të mëdhenjve. Ai është metafora e demokracisë. Kaq e dashur për popujt. Mjeshtri ka bërë sfidën e tij. E ka konceptuar Davidin portret sintezë të popullit. Davidi është sa ballkanas aq edhe tipik shqiptar. Një shqiptar jo vetëm i luftës, por edhe i kulturës. Ka psikologji të dukshme shpërthyese. Realizëm të përkryer. Ka diçka skënderbejane. Jo për tiparet autentike të fytyrës se sa tipareve simbolike të heroit.
PARABOLA E VIRGJËRESHAVE

Ikona "Hyrja e Marisë në tempull"

Onufri ka pikturuar shkëlqyeshëm Dhjetë Virgjëreshat e parabolës ungjillore. Figurat e tyre janë të tubuara harmonishëm. Janë një ansambël, që mbartin kuptimin e kontradiktës së brendshme të parabolës. Studiuesi i veprës së Onufrit, piktori i njohur kosovar, Shyqyri Nimani, e ka vlerësuar me të drejtë në mënyrë hiperbolike skenën e Dhjetë Virgjëreshave. Këtu arti i Onufrit ka shpërthimin e vet të "qetë". Virgjëreshat e Onufrit janë nimfa, nuse afërditase - jo lakuriq, por me veshjet e rënda, madje me gardërobë baroko - bizantine.

DARKA MISTIKE

Afresk. Darka Mistike. Krishti me dymbëdhjetë apostujt

Skena e "Darkës Mistike" të Onufrit është tipike. Krishti dhe dymbëdhjetë Apostujt janë përgatitur në mënyrë ceremoniale që të hanë dhe të pinë verë, skenë krejt e kundërt me asketizmin me prejardhje dioniziane. Ajo që të bën përshtypje të posaçme është se tryeza është e rrumbullakët dhe jo karakteristike, siç e ka arti pikturik i kësaj skene biblike në Evropën Perëndimore. Ikonografët gjithmonë e kanë vënë në dukje këtë fakt. Tryeza e rrumbullakët është përgjithësisht traditë bizantine ballkanike, por edhe shqiptare. Shqiptarët kanë sofrën. Onufri ka parasysh këtë gjë.

PROFETI I PANJOHUR

Kisha e Shën Premtes. Valsh. Afresku madhështor i Profetit të panjohur.

Ngaqë nuk ka sinjaturë është quajtur konvencionalisht "Profeti i Panjohur". Figurë e një fuqie artistike të rrallë. Duket sikur nga gishtërinjtë e Onufrit ka buruar rrezatim magjik. Ka lënë përjetë në sipërfaqen e murales ëndrrën e pashlyeshme të trimërisë dhe të heroikes të të gjitha kohërave. Kush është ky profet? Çfarë profetizon ai? Profeti i Panjohur i Onufrit të kujton portretet e Mikelanxhelos. Ai ngrihet mbi universin arkaik të asketizmit. Atë nuk e bren humbja. Nuk e mposht asgjësimi i mediokritetit të pashmangshëm të shekujve. Nuk e gllabëron dot anonimati i pashpirt. Në sytë e profetit është Fuqia. Mjafton një portret i tillë për ta bërë të pavdekshëm cilindo piktor. Që vdekëtarët të tallen me vdekjen.

BARINJTË

Ikona dhe afreske të Onufrit. Barinjtë. Lindja e Krishtit Kryqëzimi i Krishtit. Afresku "Sakrifica e Abrahamit" në Kostur. Çifti i barinjve ulur pranë njëri-tjetrit në një shkëmb.

Barinjtë onufrianë! Në ikonat dhe afresket e Onufrit ata lëvizin. Flasin sipas skenarit të legjendave apokrife. Ata kanë marrëdhënie me tokën, qiellin, po sidomos me kafshët. Ajo që të befason është se bariu mban në kokë një kapele me strehë të ngritur në Mesjetë si kapelë shqiptare, aq sa dhe RABLEJA i madh e quan "chapeau albanais". Barinjtë onufrianë mbajnë kapele të tilla, shenja semantike të individualitetit shqiptar. Element tjetër është kungulli i ujit që mbajnë në brez. (Susak përdoret shumë edhe sot në viset e Shpatit). Disa barinj mbajnë në duar instrumente muzikore frymore. Ndonjë është i veshur me rrobën ilire të quajtur "dalmatika". Dhentë, kuajt, gomari, kau etj., janë shenjat e natyrshme të këtyre barinjve. Padyshim që Onufri kumton botën e shqiptarëve të tij. A është e rastësishme që në lindjen e Krishtit ai vendos një bari shqiptar. Gjithashtu edhe në Skenën e Kryqëzimit ai vë përsëri një bari shqiptar! Dihet se në të dyja këto pika kulmore apo skajore të mitit të Krishtit nuk kanë qenë të pranishëm shqiptarët. As në Nazaret. As në Golgota. Atëherë përse veproi kështu Onufri? Për të modernizuar? Apo për të treguar se ka një lindje apo një kryqëzim të Krishtit në mjedisin e martirizuar shqiptar? Apo për të thënë se ka një krishterim botëror, por ka edhe një krishterim etnik të vendit të tij të pushtuar, të shkatërruar mizorisht, të cilit i masakrohet vetekzistenca? Onufri është një nga artistët e mëdhenj, metafora e të cilëve nuk mund të kuptohet menjëherë.
DYERT E BUKURA

"Dyert e bukura". Gjashtë ikona me ornamente të valëzuara. Në muzeun ONUFRI Berat

Ardhja e Gabrielit te Maria e Virgjër (në dy ikona). Dhe katër skena të tjera, të ikonizuara janë figurat e shkrimtarëve ungjillorë: Marku, Mateu, Lluka dhe Gjoni, kau dhe shqiponja.

Ikona "Lindja e Krishtit".

Të bën përshtypje realizimi pikturik krejt i veçantë i tyre. Në to kemi skenat e arkitekturave, që të kujtojnë Beratin mesjetar, fronat që kanë mbështetëse te këmbët, perdet e kuqe, llambadarët dhe tryezat e shkrimit, veglat e të shkruarit. Ata janë katër biografët që shkruajnë në thelb të njëjtin libër, historinë e Krishtit.
VIZIONET PAGANE

Ikonat "Pagëzimi i Krishtit" dhe "Ngjallja e Shën Llazarit"

Onufri ka ditur të krijojë stilin e vet, frymën kombëtare. Madje këtu qëndron merita e tij më e madhe. Në njohjen e traditave pikturike ai njeh edhe tradita më të hershme sesa ato të kristianizmit. Në ikonat dhe afresket e tij gjen personazhe paganë, të parakrishterimit, natyrisht me qëllime alegorike. Në funksion të ideve teologjike të subjekteve. Në skenën e "PAGËZIMIT TË KRISHTIT" na ka lënë dëshmi disa vizione pagane, që lidhen me politeizmin. Skena e pagëzimit është ngritur mbi parimin e duelit midis dy logjikave mitologjike. Të antagonizmit midis dy botëve. Krishti shpall triumfin e botës së tij mbi figurën e përmbysur në kohë pagane të Poseidonit. Onufri njeh kozmogoninë pagane. Ai pikturon Diellin dhe Hënën. Të antropomorfizuar. Dielli dhe Hëna me fytyra njeriu i kanë gojët e hapura dhe prej tyre del rryma e erërave. Kjo të kujton zotërit e erërave si p.sh., BOREA. Në Shqipëri ka ekzistuar një traditë origjinale e osmozës së paganizmit me krishterimin e hershëm. Kafshët alegorike si: delfinët, gjarpërinjtë, kuçedrat e ujit, gaforret, peshqit, që aq lirshëm lëvizin nëpër tablo janë elemente pagane.

Ngjallja e Shën Llazarit

Përsëri Onufri na ofron vizione pagane. Sarkofagu nga del i ngjallur Llazari është i tipit romak. Por pa reliev. Ai nuk ngjan me sarkofagët e përdorur nga të krishterët e parë. Një hollësi tjetër: Llazari e ka të tërë trupin, madje dhe fytyrën të mbështjellë me rripa të hollë e të gjatë pëlhure. Tamam sipas ritit të mumieve egjiptiane.
E KUQJA E PAHARRUAR

Ikonat e Onufrit. E kuqja. Muzeu Onufri në Berat

Është folur nga studiuesit për spektrin e ngjyrave të Onufrit. Në të spikat e kuqja. Kjo ngjyrë është e parapëlqyer, u jep ansambleve të afreskeve dhe miniaturave të ikonave ndjesi të forta të jetës. E kuqja Onufriane. Epiteti i përdorur në këtë rast ka fituar të drejtën e qytetarisë në historinë e artit. Kjo ngjyrë ka një lloj ndezje të brendshme, diçka sugjestionuese, tepër të ngrohtë, përdoret nga Onufri artistikisht e funksionalisht. Në etnografinë shqiptare, e kuqja është ngjyrë e preferuar kryesore. Në pikturën bizantine të stilit të paleologëve, e kuqja vihej në dukje mes formës së koloriteve në përgjithësi, por tek Onufri e kuqja luan rol të dukshëm harmonizues. Duke e bërë Onufrin një nga kalorësit më të mëdhenj shqiptarë të shekujve. Onufri, veç të kuqes, përdor edhe okrën si dhe oranxhën. Me to pikturon shkëmbinjtë e stërralltë, shpellat, mjedisin peizazhor të marrë nga pamjet e vendit të tij. Kështu Onufri respekton një mjedis që ka sintaksën e vet të ngjyrave. Tempulli i krishterë me mozaikët e dyshemeve, me afresket e mureve, madje edhe të kupolave, si dhe me pikturat e lëvizshme të ikonave është një univers i tërë me ngjyra, me forma të lexueshme, me një dritë të brendshme, që përbën një ekstazë hyjnore të njeriut. Krishterimi ortodoks e futi brenda guaskës arkitekturale thelbin e artit pikturik. Arti i Onufrit i ngjan polifonive kishtare kukuzeliane. E kuqja dhe portokallja onufriane e afrojnë piktorin me dritësimin hyjnor, qiejt parajsorë. Një problem i jashtëzakonshëm është praktika e ngjizjes kimike të ngjyrave tek Onufri. Kjo kërkon një studim të posaçëm.

ESTETIKA TRANSCENDENTALE

Nikolla Kabasilla, liturgjist i madh i shekullit XVI, e mbron me zjarr profetik ikonografinë dhe paraqitjen e Zotit dhe të shenjtorëve. Ka një imagjinatë akoma më të saktë kur shkruan se figurat njerëzore në ikona dhe afreske duhet të jenë të tilla që të kuptohet një kufi shkrirës midis materies dhe jomateriales. Nga të gjitha tiparet e fytyrës dhe të trupit njerëzor, sipas tij, vetëm sytë janë pjesa më hyjnore dhe më pak materiale. Sytë e shenjtorëve janë miliona qiej në miniaturë. Te sytë është kozmogonia e pafundme dhe ajo që nuk i përket hapësirës, por në fakt kohës. Kështu arrihet te ideja "VERSO - CHRONOKRATOR" d.m.th. "Zoti i kohës".

Koncili i Kostandinopojës në vitin 843 risolli përfundimisht mbas skizmës së llahtarshme ikonoklaste triumfin e nderimit të ikonave, që u quajt dhe triumfi i ortoksisë. Ikonoklastët duket se u shpartalluan përfundimisht. Kjo pikturë e zyrtarizuar rreptësisht u ciklua sipas dogmave që nuk bënin asnjë lëshim. Me qindra janë traktatet e teoricienëve dhe përcaktuesve të formave dhe të gjesteve, të lëvizjeve dhe të vendeve të paracaktuara në ikonografi. Në bibliotekat e Malit Athos në Sinaj, në bibliotekën e dikurshme të Kështjellës së Beratit etj., janë akoma traktatet se si një piktor duhet të modelojë ikonat. Arti bizantin përsëri u gjeometrizua, por në vend të pikave, trekëndëshave e sferave kishin përparësi figurat njerëzore.

Piktura bizantine, duke ruajtur antropomorfizmin e figurave, krijon një gjendje të veçantë të të shprehurit artistik, që nëpërmjet figurave sensuale të arrihet soditja hyjnore, siç do të shkruante Dionis Pseudoarepagjiti. Doktrina biblike e "Logosit" të trupëzuar në formë njeriu për të shpëtuar njeriun, është boshti i gjithësisë. Sipas Gjon Efhaidit, artisti i kishës "nuk pikturon vetëm trupin, por më tepër shpirtin". Kështu shpjegohet ekspresiviteti i gjithçkaje: Krishti paraqitet në dhimbjen e tij të pakufishme të kryqëzimit, shtrembërohet. I zënë nga ngërçi i përbindshëm, Laokondi jep një dhimbe të qetë. Krishti, një superdhimbje të hatashme. I pari ka trup të bukur anatomik, i dyti, të drobitur. Të stilizuar nga vuajtja e patregueshme. Onufri lëviz midis këtyre dy titanëve të përfytyrimit njerëzor. Midis dy arteve ai gjen konceptet e veta mitike (mistike). Onufri është përfaqësues i artit të Rilindjes Paleologe, që shpirtëzoi artin e kanonizuar bizantin me koncepte humanitare. Humanizmi i krishterë në fakt qe djepi i Rilindjes Evropiane. Po, Onufri është humanist shqiptar. I mbrujtur nga realiteti i kohës. Midis paraardhësve dhe pasardhësve.

Studimet do të bëjnë afrimin gradual drejt shpjegimeve të mundshme të së vërtetës aonufriane, sipas logjikës së kohës së sotme që për Onufrin është e ardhme. Onufri është rebel i humanizmit dhe i së Ardhmes. Për të kuptuar artin e tij duhet njohur i gjithë sistemi i simboleve dhe zbulimi, nxjerrja në dritë nga ferri i arketipave dhe logjikës së tyre të parapërgatitur. Kështu, Onufri njeh shkëlqyeshëm strukturën gjeometrike të hapësirës pikturore. Ky gjeometrizim absolutisht i saktë, e ndan hapësirën e çdo ikone në përmasa dhe në pika të cilat përbëjnë një tërësi që të kujton hartat e yjeve në qiell. Ai i vendos figurat sipas disa sistemeve, siç është rrethi dhe qendra e tij, figura piramidale, vija ndarëse e Tokës me Qiellin, që është njëkohësisht dhe vijë konvencionale midis trupores dhe shpirtërores. Në Shelcan parapëlqen medaljonet rrethore, që kanë në mes figurat e shenjtorëve. Në stilizimet arkitektonike Onufri përdor një logjikë gjeometrike paksa të veçantë, pa respektuar konceptin e perspektivës pamore. Është një gjeometri metaforike. Aty dallojmë elemente të arkitekturës popullore të Beratit dhe të qyteteve të tjera shqiptare të kohës. Ky është ndikimi i jetës së gjallë tek Onufri. Ajo që të tërheq vëmendjen tek Onufri është koncepti i kompozimeve konvencionale, që është përdorur kaq shumë nga piktorët modernë si: Shagall, Magriti, Klee etj. Tek ikona "Lindja e Krishtit" Onufri jo vetëm që e shfrytëzon mrekullisht këtë konvencionalitet të hapësirës, por edhe konvencialitetin e kohës, sipas parimit të simultanizmit, d.m.th. të bashkimit në një njësi të vetme të të tëra njësive të kohës. Kështu është njëkohësisht në ikonë edhe Krishti i porsalindur foshnje dhe jo larg tij imazhi i larjes së këtij Krishti nga soloma, veprime këto që të kujtojnë më tepër montazhin e filmit. Ikonat onufriane janë kështu pamje filmike të fiksuara brenda një imazhi.

Edhe Gjon Pagëzori tregohet me kokën e tij të paprerë. d.m.th., para çastit të ndëshkimit të tmerrshëm, por në të njëjtën ikonë ai mban në dorë kokën e tij të prerë d.m.th., të çastit të pasndëshkimit. Gjon Pagëzori ka dy kokë, atë mbi supe dhe atë që mban në dorë. Kjo të kujton qeniet biqefale të mitologjisë së vjetër babilonase. Ky konvencionalitet i kohës është gjithashtu një nga mrekullitë më të mëdha të artit bizantin, që i ka lemerisur dhe tronditur thellë surrealistët e piktorët modernë të mijëvjeçarit të dytë.

Andre Breton flet me një adhurim të skajshëm për artin bizantin. Tekstet e tij janë më me kuptim dhe më të thella sesa ato të Kandinskit. Shumë studiues të artit bizantin kanë gjetur në strukturat konvencionale të hapësirës dhe të kohës, estetikën më të pasur dhe më të pashtershme të modernizmit. Nga kjo pikëpamje moderniteti i artit onufrian është i pashlyeshëm dhe përherë çudindjellëse.

HARRESA E NJË VARRI TË PAHARRUAR

Ohër. Maqedoni. Katedralja e Shën Sofisë

Valsh. Bazilika e vogël e Shën Premtes. Muret me afreske. Në dyshemenë me pllaka guri, të brendësisë së kësaj bazilike, është një pllakë e ngritur vertikalisht, simbol mbivarror i një njeriu të rëndësishëm të varrosur nën këtë dysheme.

Kam shumë arsye të mendoj se ky është varri i vërtetë i Onufrit. Nëse një ditë do ta hapim këtë varr, në bazë të kafkës së gjetur mund të rindërtojmë pamjen natyrore të vërtetë të fytyrës së Onufrit. Kështu kanë vepruar antropologët me kafkën e Ivanit të Tmerrshëm apo të Filipit të Maqedonisë. Padyshim që kjo do të ishte një zbulesë madhështore dhe ne do të kishim përpara syve pamjen e Onufrit, të cilën ai nuk e vetëpikturoi asnjëherë.

Shpresoj se duhet guxuar drejt fytyrës së fshehur të Onufrit. Ky është guximi më njerëzor drejt të pashmes, drejt materializimit tashmë shpirtëror. Është një lindje e dytë natyrore, pra një dyim i nënës së tij. Kështu ne mund të shohim fytyrën e kryemjeshtrit, që duket se nuk do të gjendej kurrë.

Një tavolinë e mbushur me material letrar. Dorëshkrime. Faqe të tëra me një kaligrafi elegante. Skica ikonash dhe afreskesh. Foto e një gruaje fisnike të moshuar. Është Viktori Puzanova. Studimet e para të shkëlqyera për Onufrin i bëri një grua e mrekullueshme, por tashmë gati e panjohur për të gjithë. Për një mister dhe trill të fatit, kjo ishte një grua ruse me prejardhje nga Rostovi, ku kishte lindur në vitin 1893. Quhej Viktori Puzanova. Nga një familje aristokrate, ndoshta princërore, me një inteligjencë të hatashme dhe me një kulturë të rrallë, ajo u dha pas botës së librave dhe e lidhi jetën e saj me ikonografinë. Pas Revolucionit të Tetorit, më 1917-ën, ajo u largua nga atdheu i saj dhe u end nëpër botë, derisa erdhi në Shqipëri. Studimet e Puzanovës për Onufrin, por edhe për ikonografinë shqiptare janë të shkruara me një stil elegant dhe me një ndjesi mrekullie të një artisteje të vërtetë. Ajo mund të quhet krijuesja e onufrologjisë. Ajo është krijuesja e ikonografisë si disiplinë studimore. Të tjerët që kanë ardhur më pas mësuan nga ajo. Shumë pak e kanë cituar veprën e saj, ose nuk e kanë cituar fare.

Prej shumë vitesh kam menduar dhe kam shkruar diçka për Viktori Puzanovën. Kjo ruse e bardhë, me dramën e saj kolosale të emigrimit nga vendi i lindjes që rafgoi nga nderet ceremoniale aristokrate bizantine ruse, ashtu siç përshkruan Tolstoi, drejt një varfërie plebejane dhe të vështirë shqiptare ku mund të ishte çmendur ose të kishte vrarë veten. Në të vërtetë kjo grua qe një Krisht femër në vetvete. Ajo gjeti në Shqipëri një ish-oficer të Vrangelit Vasilin, bashkëjetoi me të dhe vdiqën në tokën shqiptare gati të harruar.

Një vizatim i portretit të Puzanovës. Një makinë udhëton drejt varrezave të Tufinës, ekipi i filmit shpreson se mos gjejë varrin e harruar të Puzanovës.

Varre pafund.

Në administratën e varrezave shfletoj regjistra me emra. Ata kthehen e rikthehen mes rreshtave.

Shfletojnë dhe rishfletojnë dhe ja: Eureka!

Parcela Nr. 6, rreshti midis numrave 1-12.

Eci mes varreve të panumërt. Ndaloj. Një grumbull bari. Kërkojnë me duar dhe befas diku pllaka e vogël me mbishkrimin "Puzanova Viktoria" me alfabet cirilik dhe nën të vitet 1893-1967. Përbri saj varri i Vasilit, por i shkruar me alfabet shqip. Varret të mbuluara nga bari dhe ferrat. Autori flet dhimbshëm:

Kam vendosur ta bëj varrin e saj vetë me shpenzimet e mia. Nuk jam njeriu i saj. Ajo qe ruse dhe unë jam shqiptar. Midis nesh është një histori e tërë kontradiktore. Herë-herë e llahtarshme dhe pa asnjë kuptim. Në një farë mënyre Viktori Puzanova, kjo grua çudi mes një indiferentizmi të pabesueshëm dhe një mosmirënjohjeje të pamotivuar, është nga të paktat femra në botë që ka të drejtë të quhet si nëna e dytë e Onufrit.

Po Puzanova e ka rilindur Onufrin.

Vetë Onufri nuk e di këtë gjë. Nuk ka se si ta dijë. Të dy tashmë janë të vdekur dhe që të dy i paguan borxhe të mëdha harresës dhe moskujtesës.

Bari i gjelbër i tokës shqiptare është tashmë përmbi figurat e tyre, mbi shpirtrat dhe mbi eshtrat.

O grua, që nuk linde dot, që ndoshta dhe gjuhën shqipe s‘e mësove siç duhet, që jetove me kultin e ikonave dhe me adhurimin për Andrea Rublovin!

Sa je gëzuar dhe ç‘gëzim i vërtetë ka qenë gëzimi yt, kur ke gjetur në Shqipëri një tjetër artist të madh, Onufrin. Rublovi dhe Onufri janë vëllezër dioskurë të ikonografisë botërore.

E meriton, o grua ruse të të këndojnë mbi varr një vajtim të lashtë polifonik shqiptar. I ke dhënë Shqipërisë atë që shumë shqiptarë nuk ia kanë dhënë dot vendit të tyre. Nuk të kam njohur dhe tashmë të njoh. Nuk të kam ditur dhe tashmë di vetëm pak, sepse asnjëherë nuk mund të di gjithçka dhe përfundimisht atë që duhet të dija për ty.

Ndoshta Ti, o grua, ishe njëra nga dhjetë virgjëreshat e pikturuara të Onufrit.

Ndoshta Ti, o grua, ishe vetë Soloma që lau Krishtin fëmijë, d.m.th., vetë Onufrin fëmijë. Kjo larje është epifania e madhe e kujtesës, e nderimit dhe e dashurisë.

Është pagëzimi i njeriut për të shpëlarë nga vetja elementet e së keqes, instinktet shtazore, mosmirënjohjen, paturpësinë, injorancën etj., dhe për t‘u bërë njësh me trupin hyjnor të Zotit! Harresa është hidrofilia e së keqes.

Pas kaq kohësh shirat bien mbi varrin tënd, o Viktori Puzanova, s‘janë gjë tjetër veçse epifania e madhe e kujtesës dhe e qiejve e duar kerubinësh dhe engjëjsh e mbajnë për ta larë si disa mëndesha të providencës, figurën foshnjë dhe lakuriqe të Viktori Puzanovës.

Amen!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›