Polonia konfirmon miqësoren me Shqipërinë më 27 maj
Polonia konfirmon miqësoren me Shqipërinë, më 27 maj. Skuadra e drejtuar nga Leo Benhaker është kualifikuar për në fazën finale të Euro 2008, që do të zhvillohet në Austri dhe Zvicër dhe do të luajnë përballë kombëtares kuqezi gjatë përgatitjeve që do të bëjnë në Gjermani. Lajmi është konfirmuar nga presidenti i Federatës Polake të Futbollit, Mihal Listkievicz, i cili ka shpjeguar se Shqipëria nuk ka qenë zgjedhje e parë, por ajo do të shërbejë për të zëvendësuar Bullgarinë. "Fillimisht kishim planifikuar që të luanim me Bullgarinë, por ata i ndryshuan planet e tyre", pohoi Listkievicz rreth ndeshjes që do të luhet në Shtutgart. "Në kuadër të përgatitjeve për kampionatin Evropian, na kishte ardhur një kërkesë nga Federata Shqiptare e Futbollit për të organizuar një ndeshje miqësore. Pasi e shqyrtoi skuadrën e këtij vendi, trajneri Leo Benhaker e pranoi kombëtaren shqiptare si kundërshtare të re, duke plotësuar planin përgatitor". Vetëm një ditë përpara ndeshjes me kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han, Polonia do të zhvillojë një miqësore tjetër, ku do të luajnë me Maqedoninë. Gjatë gjithë historisë në arenën ndërkombëtare, Shqipëria dhe Polonia janë ndeshur dhjetë herë ndërmjet tyre: 4 ndeshje miqësore, 2 në eliminatoret e Kampionatit Evropian dhe 4 sfida në eliminatoret e Kupës së Botës. Kuqezinjtë kanë fituar vetëm një herë (në miqësoren e luajtur më 29 nëntor 1953, në Tiranë, me rezultatin 2-0). Tri herë përballjet kanë përfunduar në barazim (0-0 në miqësoren e zhvilluar në Tiranë në vitin 1950, 1-1 përsëri në Tiranë, në sfidën e vitit 1971 të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian dhe 2-2 në vitin 1984, në takimin e vlefshëm për eliminatoret e Kupës së Botës që është zhvilluar në Mielek). Përballja e fundit është luajtur më 29 maj 2005, në qytetin polak Szczecin, ku vendasit kanë fituar 1-0. Duke përfituar nga përgatitjet për Euro 2008, më 28 maj (vetëm 24 orë pas ndeshjes me Poloninë), përfaqësuesja shqiptare mund të zhvillojë një tjetër miqësore në Shtutgart, ku kundërshtari i skuadrës së Ari Han mund të jetë Turqia. Miqësoret e kuqezinjve nisim më datën 21 mars, ku skuadra (jo zyrtare) do të udhëtojë drejt Arabisë Saudite, për t‘u përballur me përfaqësuesen e këtij vendi. Pesë ditë më pas, më 26 mars (datë zyrtare) kombëtarja do të ndeshet me Moldavinë në Tiraspol, ndërsa më 20 gusht është parashikuar një miqësore me Kroacinë.