E Diel, 1 Nëntor 2026

“Është një dhimbje e pafund”, humb jetën tragjikisht 10-vjeçari shqiptar në Itali

Të shtunën që lamë pas, 10 vjeçari Alessio me origjinë shqiptare po luante në shesh si çdo fëmijë tjetër në qytezën Castelluccio dei Sauri në juglindje të Italisë. Por brenda pak minutash, gjithçka u kthye në tragjedi.

Të miturit i rrëshqiti këmba i dhe u përplas me kokë te muri i një shatërvani. Pas goditjes humbi frymëmarrjen dhe pësoi arrest kardiak, shkruajnë mediat italiane.

Një mjek reanimator që ndodhej rastësisht aty i dha ndihmën e parë në përpjekje për ta mbajtur djalin në jetë.

Më pas në vendngjarje mbërritën ambulancat nga Troia dhe Foggia, bashkë me autoambulancë të specializuar dhe reanimatorë. Për më shumë se 45 minuta u përpoqën ta shpëtonin Alession. Por zemra e tij kishte pushuar së rrahuri.

Trupi i pajetë u dërgua në morgun e Foggias në pritje të autopsisë.

Në vendngjarje shkuan edhe karabinierët, ndërsa specialistët e hetimeve shkencore bënë matjet dhe verifikimet për të sqaruar çdo detaj.

“Castelluccio është ndalur. Është një dhimbje e pafund”, tha kryebashkiaku Azzone, duke iu bashkuar ngushëllimeve për familjen e vogëlushit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›