E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Eurodeputetët ngrenë alarmin për protestat në Shqipëri: Qeveria ka zgjedhur represionin dhe gazin lotsjellës

Eurodeputetët ngrenë alarmin për protestat në Shqipëri: Qeveria ka zgjedhur represionin dhe gazin lotsjellës

Situata e protestave në Shqipëri dhe reagimi i qeverisë ndaj të rinjve që kërkojnë largimin e Edi Ramës kanë qenë pjesë e diskutimeve në Parlamentin Europian gjatë shqyrtimit të progresraportit për vendin.

Eurodeputetja Ilaria Salis kritikoi ashpër mënyrën se si autoritetet shqiptare po përballen me protestuesit, duke thënë se të rinjtë kërkojnë një Shqipëri pa korrupsion, ku të kenë mundësi të studiojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen me dinjitet.

“Qeveria, në vend që t’i dëgjojë, ka zgjedhur represionin, gazin lotsjellës, duke abuzuar me pushtetin”, deklaroi Salis.

Ajo ngriti shqetësimin edhe për propozimin që protestuesit të përballen me gjoba deri në 5 mijë euro, duke u bërë thirrje institucioneve europiane të mos i lënë të rinjtë shqiptarë vetëm.

“Lufta e tyre është lufta juaj. Situata duhet të përmirësohet, pra t’i dëgjojmë zërat e protestuesve në Shqipëri dhe t’u japim atyre hapësirë”, u shpreh eurodeputetja.

Sponsorizuar

Në mbështetje të protestave paqësore doli edhe eurodeputeti bullgar Andrey Kovatchev, i cili deklaroi se ato duhet të mbështeten.

Ndërsa eurodeputetja holandeze Tineke Strik u ndal te dhuna ndaj protestuesve dhe gazetarëve në Shqipëri, duke kërkuar një qëndrim më të vendosur nga Bashkimi Europian.

“Protestat e kanë bërë të qartë se populli shqiptar kërkon që ju të jeni të ashpër, të fortë në këto çështje. Dhuna ndaj protestuesve dhe ndaj gazetarëve, mendoj se nuk ka dallim mes atyre që protestojnë në mënyrë paqësore dhe atyre që përdorin dhunën. Duhet t’i vlerësoni në mënyrë kritike këto raste”, deklaroi Strik.

Reagimet e eurodeputetëve vijnë në një kohë kur Shqipëria po përballet me protesta të vazhdueshme kundër qeverisë dhe kur në Parlamentin Europian po shqyrtohet progresi i vendit në procesin e integrimit europian.a.b

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›