Shpërthimi shemb 5-katëshin në Elbasan, 1 pa jetë dhe 1 i humbur. Katet bien mbi njëri-tjetrin

Zjarri në pallatin 5-katësh në Elbasan është shuar plotësisht, por pamjet pas ndërhyrjes së zjarrfikësve tregojnë përmasat e mëdha të shkatërrimit. Disa kate të ndërtesës janë shembur mbi njëri-tjetrin, ndërsa apartamenti ku dyshohet se nisi shpërthimi është dëmtuar rëndë.
Një masë e madhe tullash, betoni dhe mbetjesh ndërtimi ka mbuluar hapësirën përpara pallatit, ndërsa një pjesë e ndërtesës është shpallur e pabanueshme.
Një prej banorëve ka rrëfyer momentet e tmerrit, duke treguar se është detyruar të hidhet nga kati i dytë për të shpëtuar veten dhe familjarët. Ai ka marrë ndihmë mjekësore në spital, pasi dera e ballkonit i ka rënë në kokë.
“E kam shtëpinë në katin e dytë dhe tani nuk kam ku të qëndroj. Djali është në dhomën e tij dhe të të thërrasë djali e të mos kesh mundësi ta ndihmosh?! Unë u hodha nga kati i dytë. Shpëtova vetëm djalin e madh, sepse i vogli po vinte nga shkolla me të ëmën”, tregoi banori.
Ai tha se shpërthimi kishte qenë tepër i fuqishëm dhe se soleta e katit të tretë kishte përfunduar mbi dhomën e gjumit.
Sponsorizuar
Drejtori i Policisë së Elbasanit, Kastriot Skënderaj, bëri me dije se telefonata për ngjarjen është marrë rreth orës 16:40. Sipas tij, fillimisht dyshimet janë përqendruar te shpërthimi i një bombole gazi, por shkaku përfundimtar do të përcaktohet nga ekspertët.
Nga ngjarja ka humbur jetën një grua 83-vjeçare, ndërsa një 69-vjeçar rezulton ende i pagjetur. Dhjetë persona janë paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, pa rrezik për jetën.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, konfirmoi dëmtimet e rënda strukturore të ndërtesës. Sipas tij, kati i katërt është shembur mbi të tretin, ndërsa janë dëmtuar edhe shkallët që lidhin katet e sipërme.
Llatja tha se pallati është një ndërtesë e vjetër me tulla silikat, ku pavarësisht ndërhyrjeve të kryera ndër vite, vijojnë të evidentohen probleme konstruktive. Një prej sektorëve të tij është shpallur i pabanueshëm.