E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi mikpret artistët italianë Nordio dhe Londero, në kuadër të “Koncerteve të Pallatit”.

21 shkurt 2008

Evenimenti artistik “Koncertet e Pallatit”, një traditë e iniciuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi në Pallatin e Brigadave, ka patur të ftuar violinistin e mirënjohur Domeniko Nordio dhe pianisten e talentuar Analiza Londero, nga Italia, të cilët dhanë sonte në mbrëmje një koncert ku interpretuan me virtuozitet vepra të autorëve të mëdhenj klasikë si Moxart, Bet’hoven, Paganini etj.

Domeniko Nordio është një nga violinistët më të mëdhenj të gjeneratës së vet. Me një talent të shfaqur që në moshën e fëmijërisë, Domeniko Nordio u afirmua në Konkurset e Thibaud të Parisit, Singall Vina del Mar dhe Francescatti të Marsejës. Çmimi i Madh i Eurovizionit, i fituar në vitin 1988, i dha një popullaritet të menjëhershëm. Që na ajo kohë Domeniko Nordio ka pushtuar skenat e të gjithë botës.

Pianistja Analiza Londero ka qenë nxënëse e mjeshtrave të mëdhenj si Andrea Lucchesini, Lev Naumov, Maria Tipo etj.. Në vitin 2003 ajo fitoi çmimin e dytë në Koncertin Ndërkombëtar të Pianos Cidade de Porto. Ka dhënë koncerte si soliste me orkestra të mirënjohura dhe formacione muzike dhome në Itali, Spanjë, Francë, Gjermani, Austri dhe tani edhe në vendin tonë.

Ky koncert ishte i dyti i serisë “Koncertet e Pallatit”, një traditë e re e iniciuar nga Presidenti i Republikës, e cila synon të sjellë përpara një publiku të zgjedhur në mënyrë sistematike artistë të talentuar shqiptarë e të huaj në koncerte me pjesët më të zgjedhura të muzikës klasike botërore.

Në koncert morën pjesë Zv/kryeministri Gazmend Oketa me zonjën, nënkryetarët e Parlamentit Fatos Beja e Ylli Bufi me zonjat, drejtues të institucioneve të ndryshme, përfaqësues të trupit diplomatik dhe personalitete të njohura në vend.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›