E Diel, 1 Nëntor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË DREKËN E PUNËS ME PRESIDENTIN BUSH NË ZAGREB TË KROACISË.

5 prill 2008

I nderuar President Mesiç,
I nderuar President Bush,
Të nderuar miq,

Dëshiroj të falënderoj Presidentin e Kroacise Stjepan Mesiç për mikpritjen dhe Presidentin Bush për ftesën dhe mundësinë për të qenë së bashku në këtë drekë të këndshme!

Ne vijmë në Zagreb pas vendimeve shumë të rëndësishme të Samitit të Bukureshtit për të cilat u jemi mirënjohës vendeve të Aleancës, por në mënyrë të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Bush, të cilët besuan se zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj të rajonit do të sjellë një frymëmarrje të ndryshme edhe për vendet e tjera.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përveçse është një vlerësim i arritjeve të deritanishme të reformave në gjirin e shoqërisë shqiptare përbën një platformë politike, ushtarake, ekonomike, sociale të detyrueshme për t’u ndjekur dhe për t’u realizuar, në afatet e duhura jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në atë global.

Shqipëria është e vendosur të kontribuojë në përbërje të Forcave Ndërkombëtare për Siguri dhe Asistencë të NATO-s, në Afganistan, por edhe në misione të tjera që mund të kërkohen.

Ne jemi të ndërgjegjshëm për këto sfida. Unë besoj se do t’i përballojmë ato edhe sepse përkrah nesh ndjejmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Marrëdhëniet tradicionale me këtë aleat të madh mik janë të shkëlqyera dhe shumë të rëndësishme për popullin shqiptar. Rrugëtimi i këtyre marrëdhënieve orientohet nga vizione të qarta, të palëkundura të demokracisë, të lirisë e të euroatlantizmit. Shqipëria do të mbetet partner edhe në politikat e sigurisë dhe të progresit që Shteteve e Bashkuara të Amerikës do të ndërmarrin në rajonin tonë edhe në planin global.

Qëndrimi i SH.B.A.-së ndaj pavarësisë së Kosovës dëshmoi për politikën e drejtë dhe dinamike në interes të qëllimeve largpamëse për një të ardhme në paqe të Kosovës, Serbisë dhe të gjithë rajonit. Populli shqiptar ju është mirënjohës!

Shpreh besimin se qeveria amerikane do të japë e para shembullin për të orientuar dhe nxitur më shumë investimet amerikane në këtë hapësirë të re të Aleancës si prova e sigurisë e stabilitetit afatgjatë në vendet tona.

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›