E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me Presidentin amerikan, Xhorxh W. Bush.

5 prill 2008

Zagreb, Kroaci

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar i Republikës së Shqipërisë, zhvilloi një vizitë pune në Kroaci me ftesë të Presidentit kroat Mesiç dhe të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh W. Bush. Kjo vizitë u zhvillua në kuadrin e ftesës për anëtarësim në NATO që Shqipëria sapo mori nga Samiti i Bukureshtit.

Gjatë paradites së sotme, Presidenti Topi pati një takim me Presidentin Bush në selinë e qeverisë kroate dhe më pas mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Kryeministri kroat Sanader me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO të Kroacisë.

Presidenti Topi, në krye të delegacionit zyrtar ishte i ftuar sot në drekën e punës të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh W. Bush në të cilën merrnin pjesë Presidenti i Kroacisë Stjepan Mesiç Kryeministri kroat Ivo Sanader, Presidenti i Maqedonisë, Branko Cervenkovski dhe Kryeministri Nikola Gruevski pas ftesës që mori Shqipëria dhe Kroacia në Samitin e Bukureshtit për t’u bërë anëtarë të NATO-s.

Pasi falenderoi Presidentin Bush dhe Presidentin kroat Mesiç për ftesën, Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi theksoi se ne vijmë në Zagreb pas vendimeve shumë të rëndësishme të Samitit të Bukureshtit, për të cilat u jemi mirënjohës vendeve të Aleancës, por në mënyrë të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Bush, të cilët besuan se zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj të rajonit do të sjellë një frymëmarrje të ndryshme edhe për vendet e tjera.

Nga ana tjetër Presidenti Topi vuri në dukje se: “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përveçse është një vlerësim i arritjeve të deritanishme të reformave në gjirin e shoqërisë shqiptare, përbën edhe një platformë politike, ushtarake, ekonomike e sociale të detyrueshme për t’u ndjekur dhe për t’u realizuar në afatet e duhura jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në atë global.

Ne jemi të ndërgjegjshëm për këto sfida. Unë besoj se do t’i përballojmë ato edhe sepse përkrah nesh ndjejmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Marrëdhëniet tradicionale me këtë aleat të madh mik janë të shkëlqyera dhe shumë të rëndësishme për popullin shqiptar. Rrugëtimi i këtyre marrëdhënie orientohet nga vizione të qarta, të palëkundura të demokracisë, të lirisë e të euroatlantizmit. Shqipëria do të mbetet partner edhe në politikat e sigurisë dhe të progresit që Shteteve e Bashkuara të Amerikës do të ndërmarrin në rajonin tonë edhe në planin global.

Qëndrimi i SHBA-së ndaj pavarësisë së Kosovës dëshmoi për politikën e drejtë dhe dinamike në interes të qëllimeve largpamëse për një të ardhme në paqe të Kosovës, Serbisë dhe të gjithë rajonit. Populli shqiptar ju është mirënjohës!”

Kreu i shtetit shqiptar shprehu besimin se qeveria amerikane do të japë e para shembullin për të orientuar dhe nxitur më shumë investimet amerikane në këtë hapësirë të re të Aleancës si prova e sigurisë e stabilitetit afatgjatë në vendet tona

Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush, pasi shprehu urimet më të mira ndaj dy vendeve, theksoi se vendimi i Samitit të Bukureshtit ishte vota e besimit për kontributin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut Verior.

Presidenti Bush vuri në dukje se Shqipëria dhe Kroacia e meritojnë plotësisht ftesën që iu është bërë për anëtarësim në NATO, sepse nëpërmjet reformave të kryera, përmbushjes së standardeve dhe kritereve për anëtarësim si edhe pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse duke u radhitur krenarë e të vendosur përkrah koalicionit anti-terror të udhëhequr nga SHBA-ja, kanë demonstruar se janë aleatë të besueshëm dhe kontribues për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë jo vetëm në rajonin e Evropës Juglindore, por edhe më gjerë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›