E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Azerbajxhani dhe SHBA memorandum mirëkuptimi për partneritet strategjik

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ – Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev zhvilloi fundjavën e kaluar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një njoftimi të ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë.

Gjatë vizitës, presidentët e të dy vendeve nënshkruan një ”Memorandum mirëkuptimi mes qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me krijimin e një grupi pune për hartimin e një Karte të Partneritetit Strategjik mes Republikës së Azerbajxhanit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës” me synim ngritjen e marrëdhënieve Azerbajxhan–SHBA në nivel partneriteti strategjik.

Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit, do të krijohet një grup pune mes dy vendeve për hartimin, brenda një periudhe gjashtëmujore, të një Karte të Partneritetit Strategjik që do të shërbejë për forcimin e partneritetit strategjik në fusha me interes të përbashkët.

Në grupin e punës, përparësi do t’u jepet fushave si lidhjet rajonale, përfshirë energjinë, tregtinë dhe  transporti tranzit; investimet ekonomike, përfshirë inteligjencën artificiale dhe infrastrukturën digjitale; si dhe mbrojtjen, sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit.

Kjo ka rëndësi të veçantë në krijimin e një kuadri institucional për bashkëpunim praktik dypalësh.

Një pikë kryesore e vizitës ishte edhe Urdhri Ekzekutiv i nënshkruar nga presidenti i SHBA për zgjatjen e heqjes së nenit 907 të Aktit për Mbështetjen e Lirisë, gjatë takimit dypalësh të dy presidentëve.

Neni 907 i këtij akti, i lobuar nga komuniteti armeno-amerikan në SHBA, ndalonte që nga viti 1992 çdo lloj ndihme të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara për qeverinë e Azerbajxhanit.

Ky ndalim e bëri Azerbajxhanin shtetin e vetëm postsovjetik që nuk merrte ndihmë të drejtpërdrejtë nga qeveria amerikane për të lehtësuar stabilitetin ekonomik dhe politik.

Heqja e kësaj dispozite—një trashëgimi me pasoja negative në marrëdhëniet Azerbajxhan–SHBA—ka një rëndësi të thellë simbolike.

Vizita dha gjithashtu rezultate të rëndësishme në kuadrin e procesit të normalizimit Azerbajxhan–Armeni.

U mbajt një samit trepalësh me pjesëmarrjen e liderëve të Azerbajxhanit, Shteteve të Bashkuara dhe Armenisë, që kulmoi me nënshkrimin e një Deklarate të Përbashkët nga liderët e Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Për më tepër, ministrat e Jashtëm të të dy vendeve inicializuan Projekt-Marrëveshjen për Vendosjen e Paqes dhe Marrëdhënieve Ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Azerbajxhanit dhe Republikës së Armenisë, dhe nënshkruan një shkresë të përbashkët drejtuar Kryetarit të OSBE-së, duke kërkuar mbylljen e Procesit të Minskut dhe strukturave të lidhura me të.

Kjo thirrje e përbashkët përbën një hap tjetër të rëndësishëm drejt eliminimit të një prej pengesave kryesore për paqe dhe normalizim.

Gjithashtu, në kuadër të vizitës, në prani të presidentit të Azerbajxhanit dhe të dërguarit special të presidentit të SHBA, Steve Witkoff, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet SOCAR dhe korporatës ”ExxonMobil”.

Dokumenti synon të forcojë marrëdhëniet pozitive ekzistuese ndërmjet kompanive dhe të shqyrtojë mundësi të reja bashkëpunimi për vlerësimin e potencialeve të naftës dhe gazit, si në format tradicionale, ashtu edhe në ato jotradicionale në Republikën e Azerbajxhanit./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›