FOKUS – Azerbajxhani përkujton 5-vjetorin e ushtarëve të rënë gjatë Luftës Patriotike

BAKU, 27 shtator /ATSH/ – Azerbajxhani shënoi sot përvjetorin e pestë të Ditës së Përkujtimit, një rast solemn kushtuar nderimit të kujtimit të ushtarëve që dhanë jetën në Luftën Patriotike të vitit 2020, thuhet në një njoftim të ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë.
E themeluar me dekretin e presidentit Ilham Aliyev, më 2 dhjetor 2020, kjo ditë përkujton shpërthimin e luftës 44-ditore që filloi më 27 shtator 2020 dhe përfundoi me rivendosjen e integritetit territorial të Azerbajxhanit, sipas Deklaratës së Armëpushimit të 10 Nëntorit.
Çdo vit në mesditë, kombi ndalet teksa qytetarët mbajnë një minutë heshtje.
Trafiku ndalon në të gjithë vendin, bien sirenat dhe njerëzit ndalen për të kujtuar 2 783 ushtarakët që sakrifikuan jetën e tyre. Shërbesat fetare mbahen në xhami, kisha dhe sinagoga, ndërsa zyrtarë shtetërorë e ushtarakë, veteranë dhe familjarë të të rënëve vendosin lule në Rrugën e Dëshmorëve në Baku dhe në memorialet në të gjithë rajonet.
Presidenti Aliyev ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e kësaj dite.
”Ne kemi rivendosur integritetin tonë territorial. Ne e kemi zgjidhur konfliktin me mjete ushtarake dhe politike. Konflikti tani i përket së kaluarës. Konflikti i Nagorni-Karabahut i është lënë historisë. Kjo çështje është zgjidhur”, thotë presidenti Aliyev.
Krahas ceremonive zyrtare, shkollat, institucionet kulturore dhe Forcat e Armatosura organizojnë programe përkujtimore, duke përfshirë ekspozita, konferenca dhe shfaqje dokumentarësh kushtuar luftës dhe dëshmorëve të saj.
Komunitetet azere jashtë vendit gjithashtu zhvillojnë aktivitete përkujtimore./ a.jor.