E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOPENHAGË – Macron në mbrojtje të flotiljes “Global Sumud”: Autoritetet izraelite të respektojnë ligjin ndërkombëtar

KOPENHAGË, 2 tetor /ATSH/- Forcat izraelite konfirmuan sot se kanë marrë kontrollin e 41 anijeve dhe kanë ndaluar afërsisht 400 aktivistë të përfshirë në Flotiljen “Globale Sumud”, sipas “France 24.

Sipas raporteve të ushtrisë, gjatë një periudhe 12-orëshe midis natës së kaluar dhe mëngjesit të sotëm, marina izraelite mori kontrollin e 41 anijeve në flotën që po përpiqej të thyente bllokadën detare izraelite të Rripit të Gazës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron u bëri thirrje sot autoriteteve izraelite të respektonin ligjin ndërkombëtar në lidhje me flotiljen e ndihmës për Gazën dhe të siguronin që shtetasit francezë në bordin e anijeve të ishin të mbrojtur.

“Ne kërkojmë që të gjithë bashkatdhetarët tanë që kanë bërë këtë zgjedhje – një angazhim përballë një situate që e kemi dënuar në mënyrë zyrtare dhe në përgjigje të së cilës po ndërmarrim veprime dhe dëshirojmë të vazhdojmë të ndërmarrim veprime – të mbrohen”, tha Macron.

Duke folur në një konferencë për shtyp pas samitit të BE-së në Kopenhagë, Macron theksoi se të gjitha rregullat duhej të respektoheshin dhe se shtetasit francezë në bordin e flotiljes duhej të mbroheshin.

Ai shtoi se po e ndiqte situatën nga afër me partnerë të tjerë evropianë të shqetësuar, veçanërisht Italinë dhe Spanjën.

“Asgjë nuk mund të justifikojë operacionet që nuk përputhen me ligjin ndërkombëtar”, tha Macron.

Duke i bërë jehonë thirrjes së Macron, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum kërkoi riatdhesimin “e menjëhershëm” të gjashtë anëtarëve meksikanë të flotiljes së Gazës të kapur nga Izraeli në Mesdhe.

“Ata duhet të lirohen menjëherë sepse nuk kanë kryer asnjë krim. Ata duhet të riatdhesohen menjëherë dhe ne, sigurisht, duhet t’u ofrojmë atyre të gjithë mbështetjen e nevojshme”, tha Sheinbaum në konferencën e saj për shtyp sot në mëngjes.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha gjithashtu se qeveria e saj do të bënte gjithçka për të siguruar që 40 qytetarët italianë në bordin e flotiljes – të mund të ktheheshin në Itali sa më shpejt të ishte e mundur.

“Unë ende besoj se asnjë nga këto nuk i sjell dobi popullit palestinez”, shtoi ajo.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›