FOKUS – Fermerët evropianë protestojnë kundër marrëveshjes tregtare të “Mercosur”

BERLIN/ PARIS/ ROMË, 8 janar /ATSH-DPA/ – Fermerët e BE-së, të shqetësuar për mundësinë e importeve të lira bujqësore – protestuan kundër marrëveshjes tregtare – të planifikuar sot me katër vende të Amerikës së Jugut.
Fermerët gjermanë protestuan kundër marrëveshjes tregtare BE-Mercosur në kryqëzimet e autostradave në të gjithë vendin, ndërsa rreth 20 traktorë bllokuan rrugët hyrëse në Paris sot në mëngjes, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut.
Protestuesit arritën të çonin traktorët e tyre në Kullën Eiffel, Harkun e Triumfit dhe Asamblenë Kombëtare.
Shumë fermerë protestuan me automjetet e tyre të rënda jashtë qytetit dhe bllokuan përkohësisht autostradën që të çonte në qendër të qytetit.
Marrëveshja kontroverse tregtare me Argjentinën, Brazilin, Uruguain dhe Paraguain, e cila ka qenë në proces për më shumë se 25 vjet, ishte planifikuar të nënshkruhej në dhjetor, por kjo u shty për shkak të protestave të ashpra të fermerëve në Francë.
Një votim i BE-së për nënshkrimin e marrëveshjes është planifikuar nesër, pasi Komisioni Evropian propozoi kohët e fundit lëshime për të qetësuar Parisin.
Dje në mbrëmje, komisioni sugjeroi një pezullim të përkohshëm të tarifave doganore për substancat kimike të caktuara, si amoniaku dhe ureja.
Disa vende, përfshirë Gjermaninë dhe Spanjën, janë në favor të marrëveshjes. Nëse edhe Italia voton pro, marrëveshja mund të miratohet pa mbështetjen e Francës.
Ministri italian i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, shprehu besim në lidhje me negociatat.
“Jemi në fazën e fundit”, tha ai për gazetën italiane të biznesit “Il Sole 24 Ore”, duke shtuar se ende nevojiteshin sqarime mbi masat mbrojtëse për produktet bujqësore.
Nëse importet e “Mercosur” përmbytin tregun e BE-së ose shkaktojnë një rënie të çmimeve për prodhuesit e BE-së, masat mbrojtëse do të mundësojnë zbatimin e kundërmasave të shpejta.
Aktualisht, marrëveshja parashikon një prag prej 8% për të filluar rishikimin, por Lollobrigida tha se Roma kërkonte që kufiri të ulej në 5%.
Sipas komisionit, zona e re e tregtisë së lirë midis BE-së dhe shteteve të Mercosur me më shumë se 700 milionë njerëz do të ishte më e madhja e këtij lloji në botë. //a.i/