FOKUS – Fidan: Turqia e hapur për bisedime të reja Moskë-Kiev në Stamboll

MOSKË, 27 maj /ATSH-ANSA/ – Turqia është e hapur për të pritur bisedime të reja midis Moskës dhe Kievit në Stamboll, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan pas takimeve me presidentin rus, Vladimir Putin dhe me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.
Delegacionet nga të dy vendet u takuan në Bosfor më 16 maj për negociatat e para të drejtpërdrejta midis dy palëve në rreth tre vjet.
“Ne kemi thënë se takime të reja mund të mbahen në Stamboll. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të zhvillojmë këto negociata, besojmë se është një detyrë për ne, për rajonin tonë dhe për paqen në nivel global. Presidenti ynë (Recep Tajip Erdogan) ka bërë një thirrje të qartë për paqe në rajonin tonë”, shtoi Fidan gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun rus, Sergei Lavrov në Moskë, transmetuar nga televizioni shtetëror turk, TRT.
“Të japim fund këtij problemi është ajo që duam”, shtoi Fidan duke iu përgjigjur një gazetari që e pyeti ”nëse Turqia ishte e gatshme të priste negociata të reja midis Moskës dhe Kievit në Stamboll”./ /os/