E Martë, 3 Nëntor 2026

NJU JORK – Shefi i UNRWA-së hedh poshtë akuzat izraelite për lidhjet e agjencisë me Hamasin

TEL AVIV, 27 maj /ATSH-DPA/- Kreu i Agjencisë së Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) ka kritikuar Izraelin se ka bërë akuza të pabaza duke pretenduar se agjencia ka lidhje me grupin islamist palestinez Hamas.

“Akuzat kanë vënë në rrezik serioz jetën e stafit të UNRWA-së dhe kanë dëmtuar reputacionin e Agjencisë”, tha kreu i UNRWA-së, Philippe Lazzarini në X.

“Qeveria izraelite nuk ka ndarë asnjë provë të mjaftueshme, për të mbështetur këto pretendime kaq serioze kundër Agjencisë dhe personelit të saj”, shtoi ai.

Lazzarini i bëri thirrje Izraelit të ndalojë fushatën e tij të pabazë të dezinformimit kundër agjencisë dhe të rifillojë bashkëpunimin me UNRWA-në, i cili është pezulluar që nga janari.

Në mesin e vitit 2024, një zëdhënës i OKB-së tha se organizata e konsideron të mundur që punonjësit e UNRWA-së të jenë përfshirë në sulmet e udhëhequra nga Hamasi në Izrael më 7 tetor 2023.

OKB-ja gjithashtu i dha fund bashkëpunimit të saj me nëntë punonjës për shkak të akuzave.

Izraeli e ka akuzuar prej kohësh agjencinë e ndihmës se është infiltruar nga Hamasi.

Sipas një zëdhënësi të qeverisë izraelite, pengjet ishin fshehur në objektet e UNRWA-së në Rripin e Gazës.

Qeveria izraelite tha se detajet e rreth 100 punonjësve të UNRWA-së që dyshohet se janë anëtarë të Hamasit i ishin dërguar OKB-së.

Parlamenti i Izraelit vendosi ndalimin e operacioneve të UNRWA-së në territorin izraelit, i cili hyri në fuqi në fund të janarit. Një ligj tjetër ndalon autoritetet izraelite të kenë kontakt me UNRWA-në.

Ekspertë të pavarur kanë hetuar akuzat izraelite kundër 12 punonjësve të UNRWA-së në emër të agjencisë së ndihmës.

Ata thanë se, megjithëse kishte mekanizma të fuqishëm për të garantuar neutralitetin, kishte gjithashtu vend për përmirësim. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›