E Martë, 3 Nëntor 2026

LITUANI – Nauseda: BE të përgatisë sanksione kundër Rusisë, që t’i ngjajnë një kokteji Molotov

VILNIUS, 27 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti lituanez, Gitanas Nauseda kërkon sanksione më të forta të BE-së kundër Moskës në dritën e luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës.

”Putini po e kthen të gjithë botën kundër tij dhe me të vërtetë meriton sanksione shumë më të ashpra se ato që janë aktualisht në fuqi”, tha kreu i shtetit të vendit baltik, anëtar i BE-së dhe NATO-s.

“Shpresoj vërtet që kolegët tanë në Bashkimin Evropian ta kuptojnë se paketa e 17-të e sanksioneve ishte vetëm një ngrohje. Ne duhet të përgatisim një paketë të 18-të sanksionesh që t’i ngjajë vërtet një kokteji Molotov”, theksoi Nauseda.

BE vendosi sanksione të mëtejshme kundër Rusisë javën e kaluar.

Paketa e 17-të e masave ndëshkuese përfshin shtrëngim të mëtejshëm të kufizimeve mbi të ashtuquajturën “flotë në hije” të Rusisë që përdoret për transportin e naftës dhe produkteve të naftës.

Një paketë e 18-të sanksionesh është duke u planifikuar tashmë.

Lituania është një nga mbështetëset më të zëshme të Kievit në skenën ndërkombëtare.

Rusia ka nisur sulme ajrore masive kundër Ukrainës gjatë ditëve të fundit.

Sulmet u dënuan gjerësisht, përfshirë edhe nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili kërcënoi Rusinë me sanksione të reja dhe akuzoi udhëheqësin e Kremlinit Vladimir Putin se është “çmendur plotësisht”.

Nauseda tha se ishte dakord me vlerësimin e Trump.

“Këto janë fjalë të forta dhe një deklaratë plotësisht e përshtatshme, sepse kjo na ka qenë e qartë prej kohësh”, tha Nauseda./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›