BERLIN – Wadephul: Nuk ka solidaritet të detyruar me Izraelin

BERLIN, 27 maj /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul ka paralajmëruar qeverinë izraelite të mos përdorë akuzat për antisemitizëm për të ushtruar presion mbi Berlinin – mes kritikave në rritje gjermane ndaj sjelljes së Izraelit, në Gazë.
“Lufta e qeverisë gjermane kundër antisemitizmit dhe mbështetja e saj e plotë për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar nuk duhet të shfrytëzohet për konfliktin, për luftën që po zhvillohet aktualisht në Rripin e Gazës”, tha Wadephul në një konferencë në Berlin.
“Pavarësisht të gjitha vështirësive që ekzistojnë atje, ne si qeveri gjermane nuk do të lejojmë veten të vihemi nën presion politik dhe të vihemi në një pozicion ku duhet të tregojmë solidaritet të detyruar”, tha ai.
“Izraeli, natyrisht ka të drejtë të ndërmarrë veprime kundër Hamasit islamist, i cili ende mban pengje izraelite”, theksoi Wadephul.
“Por, kohëzgjatja, ashpërsia dhe qëndrueshmëria e veprimeve ushtarake izraelite në Gazë kanë qenë të paproporcionueshme”, tha ai.
“Është, gjithashtu plotësisht e papranueshme që popullsia civile nuk është furnizuar me ushqime dhe ilaçe bazë”, tha ministri.
“Gjermania mbështet shtetin e Izraelit dhe ka një përgjegjësi të veçantë ndaj tij. Por ne gjithashtu mbështesim njerëzit në Rripin e Gazës”, tha Wadephul.
Lidhur me dërgesat e ardhshme të armëve në Izrael, Wadephul tha se ekziston një vijë e kuqe për Gjermaninë dhe është aktualisht në diskutim.
Ministri i Jashtëm tha se kur qeveria gjermane sheh një rrezik të shkeljes së ligjit ndërkombëtar humanitar, ajo natyrisht do të ndërhyjë dhe sigurisht nuk do të furnizojë me armë.
Wadephul tha se homologu i tij izraelit, Gideon Saar do të vizitojë Berlinin, së shpejti. //a.i/