FOKUS – India dhe Pakistani shkëmbejnë zjarr në kufirin e Kashmirit mes rritjes së tensioneve

ISLAMABAD, 25 prill /ATSH-DPA/- Trupat nga Pakistani dhe India kanë shkëmbyer zjarr në luginën e diskutueshme të Kashmirit, thanë sot zyrtarët në Islamabad, ndërsa tensionet midis fuqive rivale bërthamore përshkallëzohen pas një sulmi terrorist vdekjeprurës në rajon.
“Trupat indiane qëlluan një post kufitar pakistanez në rajonin Leepa gjatë natës”, thanë dy zyrtarë të inteligjencës për DPA-në.
“Trupat tona u përgjigjën me zjarr me armë të lehta. Të shtënat kanë pushuar tani”, tha një zyrtar, duke shtuar se nuk janë raportuar viktima nga asnjëra palë.
Ky shkëmbim zjarri vjen ndërsa vendet e Azisë Jugore janë tronditur nga një sulm vdekjeprurës nga terroristët në pjesën e administruar nga India të Kashmirit këtë javë – duke rezultuar në vdekjen e 26 turistëve dhe duke i çuar të dy vendet në prag të një konflikti tjetër.
India dhe Pakistani, që atëherë kanë mbyllur të vetmin pikëkalim kufitar operativ, kanë bllokuar tregtinë dhe kanë urdhëruar dëbimin e qytetarëve të njëri-tjetrit – pas sulmit.
India gjithashtu ka pezulluar një marrëveshje kyçe për ndarjen e ujit me Pakistanin, e cila është jetike për vendin fqinj.
Nju Delhi ka fajësuar për sulmin me armë – një grup militant që dyshohet se vepron nga Pakistani. Islamabadi i ka mohuar akuzat.
Sipas medieve indiane, afërsisht 1500 persona janë arrestuar në rajonin e Himalajeve – në lidhje me sulmin – të cilët do të merren në pyetje për lidhje të mundshme me autorët e krimit. //a.i/