UASHINGTON – Trump: Krimeja do t’i mbetet Rusisë, Ukraina të bëjë lëshime

UASHINGTON, 25 prill /ATSH/- Krimeja do t’i mbetet Rusisë, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump në një intervistë për “Time” – shembulli më i fundit i presionit të udhëheqësit amerikan ndaj Ukrainës për të bërë lëshime dhe për t’i dhënë fund luftës, sipas AP.
“Zelensky e kupton këtë dhe të gjithë e kuptojnë se ka qenë me ta për një kohë të gjatë”, tha Trump.
Trump ka akuzuar Zelensky për zgjatjen e luftës duke iu rezistuar negociatave me presidentin rus Vladimir Putin.
Krimeja është një gadishull strategjik përgjatë Detit të Zi në Ukrainën jugore. Ajo u pushtua nga Rusia në vitin 2014, ndërsa presidenti Barack Obama ishte në detyrë, vite përpara pushtimit rus në shkallë të plotë në 2022.
“Ata i kanë pasur nëndetëset e tyre atje shumë kohë para çdo periudhe për të cilën po flasim, për shumë vite. Njerëzit flasin kryesisht rusisht në Krime”, tha Trump.
“Por kjo u dha nga Obama. Kjo nuk u dha nga Trump”, shtoi ai.
Lufta mund të jetë duke iu afruar një momenti vendimtar, ndërsa administrata Trump peshon opsionet e saj.
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë paralajmëruar se administrata së shpejti mund të heqë dorë nga përpjekjet për të ndaluar luftën – nëse të dyja palët nuk arrijnë një marrëveshje.
Kjo potencialisht mund të nënkuptojë një ndërprerje të ndihmës ushtarake vendimtare amerikane për Ukrainën.
Mes përpjekjeve për paqe, Rusia goditi dje Kievin me një breshëri raketash, duke vrarë të paktën 12 persona dhe duke plagosur 87 të tjerë – në sulmin e saj më vdekjeprurës në kryeqytetin ukrainas që nga korriku.
Sulmi u kritikua nga presidenti amerikan Trump, i cili tha se përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës po arrinin kulmin.
I dërguari i Trump, Steve Witkoff, u takua sot me Putinin në Moskë, takimi i tyre i dytë këtë muaj dhe i katërti që nga muaji shkurt.
Kremlini publikoi një video të shkurtër të Putinit dhe Witkoff duke përshëndetur njëri-tjetrin.
Ndihmësi i politikës së jashtme të Putinit, Yuri Ushakov, dhe i dërguari për bashkëpunim ndërkombëtar, Kirill Dmitriev, u bashkuan në tryezën e bisedimeve.
Trump dhe Zelensky pritet të mbërrijnë sot në Romë për të marrë pjesë në funeralin e papa Françeskut neser në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. //a.i/