E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Izraeli dëbon Greta Thunberg, pasi anija e ndihmës për Gazën u bllokua

TEL AVIV, 10 qershor /ATSH-DPA-AA/ – Aktivistja Greta Thunberg, e cila u përpoq të dërgonte ndihma në Gaza nga deti së bashku me gati një duzinë aktivistësh të tjerë, u deportua nga Izraeli, pasi varka e tyre me vela u ndalua nga ushtria, tha sot Ministria e Jashtme izraelite.

“Greta Thunberg sapo u nis nga Izraeli me një fluturim për në Suedi”, postoi ministria në X, së bashku me një fotografi të 22-vjeçares duke hipur në aeroplan.

Ministria kishte njoftuar orë më parë se Thunberg dhe pasagjerë të tjerë të varkës kishin mbërritur në aeroportin Ben Gurion pranë Tel Avivit për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës.

Tre të tjerë gjithashtu do të largohen nga Izraeli, raportuan mediat lokale.

Ministria e Jashtme izraelite njoftoi më herë se aktivistët nga anija humanitare që shkonte për në Gaza, të cilën e kishte ndaluar, kanë mbërritur në aeroport për t’u deportuar.

Ministria izraelite në një deklaratë tha se vullnetarët nga anija “Madleen”, e cila ishte e ngarkuar me furnizime humanitare jetësore për Rripin e Gazës, mbërritën në aeroportin “Ben Gurion” për t’u larguar nga Izraeli dhe për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës.

Thuhet se disa prej tyre pritet të largohen nga Izraeli brenda orëve të ardhshme.

“Ata që refuzojnë të nënshkruajnë dokumentet e deportimit dhe të largohen nga Izraeli do të çohen para një autoriteti gjyqësor, në përputhje me ligjin izraelit, për të autorizuar deportimin e tyre. Konsujt nga vendet e origjinës së pasagjerëve i pritën ata në aeroport”, shtoi deklarata.

Forcat izraelite e ndaluan anijen herët të hënën, duke e devijuar atë nga misioni i saj për të ofruar ndihmë në enklavën e rrethuar. Anija e ndihmës kishte një ekuipazh prej 12 personash në bord, përfshirë aktivisten suedeze të klimës, Greta Thunberg dhe anëtaren franko-palestineze të Parlamentit Evropian, Rima Hassan.

Një total prej 12 personash shkuan në misionin e ndihmës, përfshirë 11 aktivistë dhe një gazetar.

Aktivistët në bordin e anijes së ndihmës përfshinin gjithashtu Yasemin Acar nga Gjermania, Baptiste Andre, Pascal Maurieras, Yanis Mhamdi dhe Reva Viard nga Franca, Thiago Avila nga Brazili, Suayb Ordu nga Turqia, Sergio Toribio nga Spanja, Marco van Rennes nga Holanda dhe Omar Faiad një gazetar i ”Al Jazeera”-s nga Franca./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›