E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Izraeli u kërkon qytetarëve iranianë të bashkëpunojnë me Mossadin

TEL AVIV/TEHERAN, 12 shkurt /ATSH-DPA/ – Izraeli po u bën thirrje qytetarëve të armikut të tij të betuar, Iranit, të kontaktojnë ushtrinë izraelite ose shërbimin e huaj sekret, Mossad, për të ofruar bashkëpunimin e tyre.

Në një deklaratë në persisht të postuar sot në X, ushtria izraelite u dha iranianëve një listë llogarish në mediat sociale përmes të cilave ata mund të vendosnin kontakt.

Kjo nuk është hera e parë që Izraeli u ka bërë thirrje iranianëve të bashkëpunojnë me forcat e saj të sigurisë.

Në qershor 2025, gjatë luftës së saj me Iranin, ushtria izraelite i këshilloi iranianët e shqetësuar të kontaktonin Mossadin në mënyrë që të “përmirësonin situatën e tyre”.

Në atë kohë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara bombarduan nga ajri objektiva në Iran, përfshirë objektet bërthamore.

Forcat e armatosura të Iranit u përgjigjën duke qëlluar raketa balistike drejt Izraelit.

Aktualisht ka shqetësime për një konflikt të mundshëm të ri ushtarak nëse negociatat e rifilluara së fundmi midis Teheranit dhe Uashingtonit mbeten të pasuksesshme.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu theksoi nevojat e sigurisë së Izraelit në një takim me presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Izraeli ka paralajmëruar kundër një marrëveshjeje me Iranin që kufizohet në programin bërthamor të Republikës Islamike.

Izraeli po kërkon që armiku i tij i betuar të zvogëlojë gjithashtu arsenalin e raketave balistike dhe mbështetjen për përfaqësuesit e tij në rajon.

Një krizë dramatike ekonomike çoi në protesta mbarëkombëtare në Iran në fillim të vitit, të cilat forcat e sigurisë i shtypën brutalisht.

Aktivistët thonë se kanë informacion të besueshëm për mijëra vdekje./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›