KINEMA – Filmi afgan “No Good Men” hap Berlinalen

BERLIN, 12 shkurt /ATSH-AFP/ – A ka burra të mirë në Afganistan? Filmi hapës në Festivalin e Filmit në Berlin të këtij viti ngre këtë pyetje në sfondin e kthimit në pushtet të autoriteteve talebane.
Naru, protagonistja e “No Good Men”, luajtur nga regjisorja Shahrbanoo Sadat, rishqyrton pikëpamjet e saj të lodhura mbi seksin e kundërt si rezultat i një miqësie në rritje me një koleg pune.
Për Sadatin, zgjedhja për të hapur festivalin e këtij viti ishte një shans emocionues për të nxjerrë në pah një histori për Afganistanin të treguar nga vetë afganët.
“Për një kohë shumë, shumë të gjatë historitë afgane janë treguar nga regjisorë ndërkombëtarë dhe për këtë arsye ka pasur gjithmonë një lloj keqinterpretimi”, tha ajo.
Filmi e përshkruan gjallërisht Narun duke ”lundruar” në kaosin e tërheqjes së forcave të udhëhequra nga SHBA-të në vitin 2021 dhe shtypjen në aeroportin e Kabulit të mbushur me afganë të dëshpëruar që përpiqeshin të largoheshin nga vendi i tyre.
Këto skena bazoheshin drejtpërdrejt në përvojën e vetë Sadatit kur iu desh të largohej, kur luftëtarët talebanë arritën në kryeqytet.
“Isha në aeroport me familjen time për 72 orë kur filluan gjërat”, tha Sadati, e cila tani jeton në Hamburg.
“Kur donim të bënim këtë skenë në aeroport, meqenëse isha atje, ishte një nga skenat më të vështira”, kujtoi ajo.
Filmi nuk përqendrohet vetëm në dhunën dhe trazirat që kanë kaluar afganët në dekadat e fundit.
Sadati plot gjallëri, e cila u lind në Iran dhe e kaloi fëmijërinë në Teheran para se të transferohej në Afganistan me prindërit e saj, e përshkruan veten si një “optimiste naive” në shumë mënyra dhe butësia e saj është e dukshme në të gjithë filmin “No Good Men”.
Një kaktus fallik i dyshimtë në fund të titrave përmbyllës është tipik i humorit të mprehtë që Sadati përdor për të shtrembëruar qëndrimet patriarkale, për të mos përmendur lodrën seksuale që Naru merr nga një koleg për të festuar ndarjen e saj nga burri i saj tradhtar.
Filmi portretizon hapësirën që gratë afgane po krijonin për veten e tyre para vitit 2021, si personalisht ashtu edhe profesionalisht.
Ai ka një element idealizmi në portretizimin e gazetarëve afganë dhe i kushtohet shtatë anëtarëve të stafit nga stacioni televiziv popullor ”Tolo”, të vrarë në një sulm të vitit 2016 të orkestruar nga luftëtarët talebanë.
Megjithatë, Sadat tha se ndjeu gjithashtu nevojën për të kundërshtuar një tendencë për të “romantizuar epokën e demokracisë”.
“Nuk e mohoj që talebanët janë problemi më i madh i Afganistanit sot, por nga ana tjetër… asgjë nuk ishte lule dhe trëndafila në epokën e demokracisë”, tha ajo, duke përmendur korrupsionin e përhapur që pllakosi vendin në atë epokë.
Duke pasur parasysh vështirësinë e xhirimeve në Afganistan, filmi u xhirua në disa vende në Gjermaninë veriore, i ndërthurur me pamje arkivore nga Kabuli.
Në falënderimet e saj, Sadat falënderon komunitetin afgan të Gjermanisë dhe thotë se në disa kuptime ishte “fat i mirë” i saj që punoi në një vend me “një nga komunitetet më të mëdha afgane” në diasporë.
Sadat ishte e përfshirë në procesin e përzgjedhjes së aktorëve, duke shfletuar listat e xhamive, kafeneve dhe restoranteve të frekuentuara nga më shumë se 460 000 afganë në Gjermani.
Ajo mori “mijëra kërkesa” nga afganët në të gjithë vendin për të marrë pjesë në film, me ata që morën pjesë që përfundimisht formuan një “komunitet të vogël filmi”.
Kthimi i qeverisë talebane në vitin 2021 solli me vete kufizime të rrepta për filmat, muzikën dhe argëtimet e tjera sipas interpretimit të tyre të rreptë të ligjit islamik.
Pra, a ka ndonjë shpresë që filmi të arrijë një audiencë brenda Afganistanit?
“Ndoshta… ata do ta shikojnë diku tjetër filmin përpara se filmi të dalë në kinema”, tha Sadat, duke shpjeguar se ajo pret që piratët e internetit ta marrin në dorë.
“Gjithmonë ka ndodhur me filmat e mi të mëparshëm që ata… ose të përfundojnë në YouTube ose do të shkurtohen dhe do të jenë në TikTok”, shton ajo.
Sadat thotë se sado që autoritetet talebane të përpiqen, ata nuk mund ta mbajnë jashtë epokën moderne ku “të gjithë kanë… një telefon dhe të gjithë janë të lidhur me internetin”.
“Edhe nëse afganët nuk e përjetojnë filmin në një mënyrë kinematografike, në një ekran të madh… ata do ta shikojnë filmin”, thekson ajo.
A mendon Sadat se ka edhe burra të mirë?
“Unë besoj se ka burra të mirë, por gjithashtu besoj se kemi nevojë për më shumë burra të mirë në botë, por edhe në Afganistan”, u tha ajo gazetarëve në një konferencë për shtyp./ a.jor.