FOKUS – Leone XIV: Evropa nuk mund të numërojë të vdekurit në krizën e migracionit

MADRID, 11 qershor /ATSH-AA/ – Papa Leone XIV u ka bërë thirrje vendeve të Evropës të bëjnë më shumë për të adresuar çështjen e migracionit, si dhe ka kërkuar krijimin e rrugëve të sigurta dhe ligjore për migrantët duke paralajmëruar kundër indiferencës në rritje ndaj vdekjeve në det.
Duke folur në portin e Arguineguin në ishullin Gran Canaria të Spanjës, një nga pikat kryesore të hyrjes në Evropë për migrantët që kalojnë Atlantikun nga Afrika Perëndimore, Papa tha se migracioni duhet të nxisë një “ekzaminim të ndërgjegjes” nga qeveritë dhe komuniteti ndërkombëtar.
“Nuk mund të mësohemi të numërojmë të vdekurit. Dinjiteti njerëzor kërkon rrugë të ligjshme dhe të sigurta migrimi, operacione shpëtimi dhe ndihme, bashkëpunim të vërtetë kundër trafikantëve, mbrojtje efektive për viktimat, procese serioze integrimi dhe politika që i lejojnë çdo personi të jetojë me dinjitet në atdheun e tij”, theksoi Papa.
Papa Leoni gjithashtu u bëri thirrje vendeve të origjinës, tranzitit dhe destinacionit të marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e migrantëve dhe luftimin e rrjeteve kriminale që përfitojnë nga dëshpërimi i tyre.
Papa paralajmëroi se Evropa nuk mund të mbrojë dinjitetin njerëzor ndërkohë që mësohet me vdekjet e migrantëve në Mesdhe dhe Atlantik, duke i përshkruar këto dete si “varreza pa gurë varri”.
“Çdo varkë që mbërrin sjell jo vetëm migrantë, ajo sjell një pyetje: çfarë lloj bote kemi ndërtuar, nëse kaq shumë vëllezër e motra duhet të rrezikojnë vdekjen për të kërkuar jetën?”, u shpreh ai.
Papa gjithashtu vlerësoi punonjësit e shpëtimit, vullnetarët dhe organizatat humanitare që ndihmojnë migrantët që mbërrijnë në Ishujt Kanarie.
Pas fjalimit të tij, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje për migrantët që humbën jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar detin. Papa hodhi lule në det dhe bekoi një kryq të ndërtuar nga druri i varkave të migrantëve që kishin mbërritur në ishuj.
Sipas organizatës joqeveritare spanjolle Caminando Fronteras, më shumë se 1.300 migrantë kanë humbur jetën duke u përpjekur të arrijnë në Spanjë përmes detit gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026.
Vizita në Ishujt Kanarie përmbushi një dëshirë të kahershme të Papa Françeskut, i cili kishte shpresuar të vizitonte arkipelagun para vdekjes së tij.
Migracioni ka qenë një nga temat përcaktuese të vizitës së Papa Leonit në Spanjë, udhëtimi i tij i parë jashtë Italisë drejt një vendi të madh të Evropës Perëndimore që nga zgjedhja e tij si papë vitin e kaluar. /os/