E Diel, 1 Nëntor 2026

“El Nino” nis zyrtarisht, paralajmërohen fenomene ekstreme të motit në mbarë botën

LONDËR, 11 qershor /ATSH/- Shkencëtarët amerikanë kanë konfirmuar nisjen zyrtare të fenomenit klimatik “El Nino”, modeli natyror i motit në Oqeanin Paqësor, që zakonisht rrit temperaturat globale dhe ndikon në kushtet atmosferike në shumë rajone të botës, raportoi BBC.

Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA) njoftoi se temperaturat e sipërfaqes së detit, në Paqësorin tropikal janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, duke kaluar pragun, që përcakton fillimin e një episodi “El Nino”.

Sipas parashikimeve, ky fenomen mund të shndërrohet në një “super El Nino”, ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë.

Ekspertët paralajmërojnë se, i kombinuar me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, ai mund të sjellë temperatura rekord në nivel botëror, veçanërisht gjatë vitit 2027.

NOAA vlerëson se ekziston një probabilitet prej 63% që “El Nino” të arrijë një intensitet shumë të lartë gjatë periudhës nëntor-janar, duke u renditur mes episodeve më të forta që nga viti 1950.

Sipas studiuesve, një “El Nino” i fuqishëm, zakonisht rrit temperaturën mesatare globale të ajrit me rreth 0,2 gradë Celsius, pasi çliron në atmosferë nxehtësinë e akumuluar në oqean.

Ekspertët paralajmërojnë se fenomeni mund të shkaktojë përmbytje në disa pjesë të Amerikës së Jugut, Afrikës Lindore dhe jugut të SHBA-së, ndërsa rrit rrezikun e thatësirave dhe zjarreve në Australi, Indonezi dhe disa zona të Amerikës së Jugut.

Kjo mund të ndikojë negativisht në prodhimin bujqësor dhe furnizimet globale me ushqime.

Meteorologët japonezë gjithashtu kanë konfirmuar praninë e “El Nino-s” dhe parashikojnë që ai të vazhdojë të paktën deri në vjeshtë.

Fenomeni “El Nino” shfaqet zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe zgjat rreth një vit.

Shkencëtarët theksojnë se ende nuk ka prova përfundimtare, se ndryshimet klimatike po e bëjnë atë më të shpeshtë apo më të fortë, por një planet më i ngrohtë mund t’i përforcojë ndjeshëm pasojat e tij. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›