FOKUS – Meksika konfirmon vrasjen e liderit të kartelit “El Mencho”

MEKSIKO SITI, 23 shkurt /ATSH-DPA/- Një nga bosët më të fuqishëm të drogës në Meksikë, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, është vrarë gjatë një operacioni ushtarak, njoftoi dje në mbrëmje Ministria e Mbrojtjes.
Fillimisht, ai u plagos dhe ndërroi jetë gjatë transportimit me avion drejt Meksiko Sitit.
SHBA-ja kishte ofruar 15 milionë dollarë shpërblim për kapjen e 59-vjeçarit.
Në operacionin e zhvilluar nga forcat speciale në Tapalpa të Jalisco-s u vranë edhe gjashtë anëtarë të kartelit dhe u arrestuan dy të tjerë , ndërsa tre ushtarë mbetën të plagosur.
Oseguera, ish-polic, drejtonte kartelin “Jalisco New Generation” (CJNG), të cilin e kishte themeluar që nga viti 2011.
Pas operacionit, karteli reagoi me dhunë në disa shtete, duke bllokuar rrugë me automjete të djegura dhe duke i vënë zjarrin dyqaneve. Në qytetin turistik Puerto Vallarta u panë makina në flakë dhe shtëllunga të mëdha tymi, ndërsa disa fluturime u devijuan dhe shkollat u mbyllën.Ambasada e SHBA-së lëshoi paralajmërim sigurie për qytetarët amerikanë.
Zyrtarë amerikanë përgëzuan Meksikën për operacionin, ndërsa presidentja Claudia Sheinbaum bëri thirrje për qetësi dhe koordinim institucional.
Karteli që drejtonte Oseguera është një organizatë ndërkombëtare kriminale e përfshirë në trafik droge, përfshirë fentanilin, si edhe në zhvatje, trafik migrantësh, vjedhje nafte e mineralesh dhe armësh. //a.i/