E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Rrëzohet helikopteri ushtarak në Kashmir, asnjë i mbijetuar

ISLAMABAD, 10 qershor /ATSH-DPA/- Një helikopter ushtarak i tipit “Mi-17” u rrëzua në Kashmirin e administruar nga Pakistani, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave që ndodheshin në bord, njoftoi sot ushtria pakistaneze, ndërsa protestat e dhunshme në rajon hynë në ditën e katërt radhazi.

Sipas një deklarate të ushtrisë, helikopteri pësoi një defekt teknik dhe u rrëzua gjatë ngritjes në qytetin Muzafarabad, kryeqyteti i Kashmirit, të administruar nga Pakistani.

Deklarata konfirmoi se të gjithë personat në bord humbën jetën, por nuk specifikoi numrin e viktimave.

Një helikopter ushtarak Mi-17 mund të transportojë deri në 36 ushtarë.

Aksidenti ndodhi në një kohë kur protestat e dhunshme, që nisën të dielën, vazhdojnë të përfshijnë qytetet kryesore të rajonit.

Deri më tani janë konfirmuar 14 viktima, ndërsa forcat e sigurisë kanë intensifikuar ndërhyrjet kundër numrit në rritje të demonstruesve.

Trazirat u shkaktuan nga ndalimi i një lëvizjeje politike lokale me bazë qytetare, e cila të premten u shpall organizatë terroriste, përpara protestave të planifikuara.

Helikopterë ushtarakë janë angazhuar për monitorimin e protestave në Muzafarabad dhe zona të tjera, megjithatë nuk është bërë e ditur nëse mjeti që u rrëzua, ishte pjesë e këtyre operacioneve.

Rajoni himalajan i Kashmirit pretendohet si nga India ashtu edhe nga Pakistan, dy shtete të armatosura me armë bërthamore, secili prej të cilëve kontrollon një pjesë të territorit.

Që nga përfundimi i sundimit kolonial britanik dhe ndarja e Indisë Britanike në vitin 1947, rajoni ka qenë vazhdimisht skenë e konflikteve të armatosura mes dy vendeve.

Protestat aktuale po zhvillohen në pjesën e kontrolluar nga Pakistani, të rajonit Azad Jammu and Kashmiri. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›