E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Rusia ndërton baza për 100 000 trupa në kufijtë e NATO-s

KOPENHAGË, 10 qershor /ATSH-ANSA/ – Një hetim i përbashkët i kryer nga mediat në vendet nordike dhe baltike ka zbuluar se Rusia po ndërton në mënyrë aktive infrastrukturë ushtarake pranë kufijve të saj me vendet e NATO-s, gjë që mund t’i lejojë asaj të stacionojë mbi 100 000 trupa atje.

Gazetarët nga transmetuesi suedez SVT, së bashku me media të tjera në rajon – NRK i Norvegjisë, DR e Danimarkës dhe Delfi i Estonisë – përdorën imazhe satelitore për të hetuar infrastrukturën ushtarake ruse pranë kufijve të Evropës dhe zbuluan se ajo po zhvillohet në mënyrë aktive në disa vende.

Fotografitë kapin kazerma të shumta të reja për mijëra ushtarë, depo municionesh dhe objekte magazinimi pajisjesh.

Në veçanti, në Petsamo (Pechenji), 10 kilometra nga kufiri me Norvegjinë në Lapland, po ndërtohen kazerma dhe po grumbullohen pajisje.

E njëjta gjë vlen edhe në Petrozavodsk, pranë kufirit me Finlandën.

Pajisjet po grumbullohen gjithashtu në Baltiysk, Rajoni i Kaliningradit, në Sapiernoye, pranë kufirit finlandez dhe në Luzh, në Rajonin e Pskov.

Një kompleks i ri infrastrukturor është në ndërtim e sipër në Kirillovskoye, 70 km nga kufiri finlandez; një bazë ekzistuese në Kandalaksha, në Detin e Bardhë, po zgjerohet.

Sipas Komandantit të Ushtrisë Finlandeze Pasi Välimäki, si rezultat i zhvillimit të infrastrukturës ruse, afërsisht 80,000 ushtarë rusë mund të jenë shfaqur pranë kufijve të vendit, krahasuar me 20,000 më parë.

Baza e lartpërmendur në Petsamo, në veriun e largët, pas zgjerimit të saj, do të jetë në gjendje të akomodojë deri në 17,000 trupa, nga 7,000 që ishin më parë.

Në përgjithësi, objektet e reja dhe të zgjeruara potencialisht i lejojnë Rusisë të përqendrojë deri në 115,000 trupa në kufijtë e saj me Evropën Veriore dhe vendet baltike.

Besohet se transferimi i forcave në këto struktura duhet të ndodhë pas përfundimit të fazës së nxehtë të luftës kundër Ukrainës.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›