FOKUS – Të paktën 169 të vrarë pas sulmeve në Sudanin e Jugut

KEJP TAUN, 2 mars /ATSH-DPA/- Të paktën 169 persona janë vrarë në sulmet ndaj disa fshatrave në Sudanin e Jugut, sipas zyrtarëve lokalë.
Grupe të armatosura të panjohura pushtuan fshatrat të dielën në rajonin Ruweng, i cili kufizohet me Sudanin në veri të vendit.
James Monyluak Mijok, ministri i Informacionit i rajonit, i tha dpa të hënën se viktimat përfshinin fëmijë, gra dhe të moshuar, si dhe anëtarë të forcave të sigurisë.
Nyakenya Johannes Keah Ruai, një tjetër zyrtar rajonal tha se qeveria kishte dërguar ushtarë në zonë për të qetësuar situatën.
Hetimet gjithashtu do të përcaktojnë identitetin e autorëve dhe shkakun e sulmeve.
Misioni paqeruajtës i OKB-së në Sudanin e Jugut (UNMISS) raportoi gjithashtu dhjetëra vdekje dhe tha se ishte “i alarmuar nga dhuna në rritje” në rajon.
Më shumë se 1000 civilë kishin ikur në një bazë të UNMISS në rajon që nga e diela. Shumë të plagosur morën kujdes mjekësor urgjent atje.
Vendi i Afrikës Lindore, i cili ka qenë i pavarur që nga viti 2011 dhe ka një popullsi prej rreth 12 milionë banorësh, ka qenë politikisht i paqëndrueshëm për disa muaj.
Ka përleshje të përsëritura midis forcave të sigurisë të partive në pushtet dhe atyre opozitare. Ka gjithashtu përleshje të dhunshme të rregullta midis grupeve etnike.
Vëzhguesit paralajmërojnë se vendi mund të rikthehet në luftë civile. //a.i/