FOKUS – Trump viziton Skocinë, pritet të takohet me kryeministrin britanik Starmer

EDINBURGH/LONDËR, 265 korrik /ATSH/ – Presidenti amerikan Donald Trump udhëton sot drejt Skocisë në një vizitë që përfshin vajtjen në fushat e tij të golfit dhe takime politike kryesisht larg syrit të publikut.
Trump planifikon të vizitojë resortin e tij të golfit në Turnberry, në bregun lindor të Skocisë, ku të hënën do të takohet me kryeministrin britanik Keir Starmer, para se të shkojë në pronën tjetër të tij në Aberdeen, rreth 320 kilometra në perëndim, për të hapur një fushë të dytë golfi të emërtuar në nder të nënës së tij Mary Anne MacLeod, e lindur në një ishull skocez para se të emigronte në SHBA.
Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, vizita është “një udhëtim pune që përfshin një takim bilateral me kryeministrin Starmer për të ratifikuar marrëveshjen historike të tregtisë mes SHBA-sëd dhe Britanisë së Madhe”. .
Marrëdhënie më të thella me Britaninë
Vizita e presidentit Trump, fillimisht e quajtur “private”, i jep atij dhe kryeministrit Starmer mundësinë për të forcuar marrëdhëniet, me tema si lufta në Ukrainë dhe situata në Gaza në rendin e ditës.
Zyrtarë britanikë janë inkurajuar nga ndryshimi i qëndrimit të Trump ndaj Rusisë dhe Ukrainës kohët e fundit.
Gjithashtu, Starmer ka shprehur shqetësimin për krizën humanitare në Gaza, duke e cilësuar situatën “të papranueshme dhe të pafalshme”, dhe ka kërkuar lejimin e ndihmave humanitare në enklavën palestineze. Më shumë se 100 persona kanë vdekur nga uria, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza.
Marrëveshja tregtare dhe tarifat
Që nga zgjedhja e tij, Starmer ka ruajtur një qasje pragmatike ndaj Trump-it, duke theksuar rëndësinë e aleancës së sigurisë me SHBA-në dhe shmangur kritikat e drejtpërdrejta për tarifat e presidentit Trump.
Kjo qasje ndihmoi në maj të këtij viti që Britania e Madhe të siguronte një marrëveshje për uljen e tarifave, duke eliminuar tarifat për sektorin ajror, po duke lënë në fuqi tarifat për çelikun.
Starmer pritet të kërkojë heqjen e tarifave për çelikun, por një marrëveshje gjatë kësaj vizite nuk është e sigurt.
Takime dhe protesta në Skoci
Trump gjithashtu mund të takohet me liderin skocez John Swinney, i cili ka mbështetur hapur kundërshtaren e Trump-it, Kamala Harris, në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.
Edhe pse Trump e ka përshkruar Skocinë si një “vend shumë të veçantë” dhe ka bërë një vizitë të ngjashme atje në vitin 2016, pritja këtë herë nuk pritet të jetë e ngrohtë, sipas një sondazhi të Ipsos në mars, 70% e skocezëve kanë opinion negativ për të, ndërsa vetëm 18% kanë opinion pozitiv.
Policia skoceze po përgatitet për protesta në Aberdeen dhe Edinburg.
Trump do të rikthehet sërish në Britani nga 17 deri më 19 shtator për një vizitë shtetërore të organizuar nga Mbreti Charles, duke u bërë i vetmi lider botëror modern me dy vizita shtetërore në Britani. Ai u prit për herë të parë nga Mbretëresha Elizabeth në një vizitë tre-ditore në qershor 2019. /Ad.Ab./