E Hënë, 2 Nëntor 2026

MOSKË – Kremlini: Takimi Putin-Zelensky vetëm në pikën përfundimtare të marrëveshjes së paqes

MOSKË, 25 korrik /ATSH/- Kremlini tha sot se një takim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy mund të ndodhë vetëm si një hap i fundit për të nënshkruar një marrëveshje paqeje, sipas “Reuters”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ishte e pamundur që një takim i tillë të mund të ndodhte deri në fund të gushtit, siç ka propozuar Ukraina.

“Takimi mund dhe duhet të vendosë pikën përfundimtare mbi një zgjidhje dhe të çimentojë modalitetet dhe marrëveshjet e përpunuara nga ekspertët. Është e pamundur ta bëjmë anasjelltas”, u tha Peskov gazetarëve.

“A është e mundur të kalohet nëpër një proces kaq kompleks brenda 30 ditësh? Epo, natyrisht, është e pamundur”, shtoi ai.

Ukraina tha se një takim i udhëheqësve ishte i nevojshëm për të arritur një progres në procesin që po ecën ngadalë, gjatë të cilit janë zhvilluar tre seanca të shkurtra bisedimesh paqeje në Turqi që nga mesi i majit.

Zelenskiy u tha gazetarëve se Rusia kishte filluar të angazhohej për mundësinë e një takimi të tillë.

“Ata kanë filluar ta diskutojnë atë. Ky është një progres drejt një formati të tillë takimi,” tha ai.

Një delegat ukrainas tha pas raundit të fundit të bisedimeve të paqes të mërkurën, të cilat zgjatën vetëm 40 minuta, se Kievi kishte propozuar një takim midis Putinit dhe Zelensky-t në gusht – pasi kjo përkonte me afatin 50-ditor që presidenti i SHBA-së Donald Trump kishte vendosur javën e kaluar për një marrëveshje. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›