FOKUS – Ukraina bën progres në bisedimet për të formalizuar garancitë e sigurisë me SHBA-në dhe BE-në

KIEV, 19 shtator /ATSH/- Ukraina po bën progres në bisedimet intensive për të formalizuar garancitë e sigurisë, ligjërisht të detyrueshme, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropianë – një pjesë kyçe e përpjekjes për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, tha sot zëvendësministri i Parë i Jashtëm, Serhii Kyslytsia, sipas “Reuters”.
Marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet jetësore, dhe angazhimi i fundit i presidentit të SHBA-së Donald Trump për të marrë pjesë në mbrojtjen e Ukrainës ishte një “moment progresi”, tha Kyslytsia.
“Mendoj se po bëjmë progres”, tha Kyslytsia, negociatori kyç për garancitë e sigurisë, i cili gjithashtu mori pjesë në të tre raundet e bisedimeve të drejtpërdrejta me Rusinë në Stamboll, në fillim të këtij viti.
Pikëpamjet e Kyslytsias pasqyrojnë një qasje gjithnjë e më pragmatike ndaj diplomacisë në Kiev, e cila nuk po pret një zgjidhje të shpejtë për t’i dhënë fund luftës, as në formën e sanksioneve ndëshkuese të SHBA-së kundër Moskës, as në një kolaps të papritur të ekonomisë ruse.
Ai tha se shumica dërrmuese e rreth 30 vendeve në të ashtuquajturin “koalicioni i të gatshmëve” që premtojnë mbështetje për Ukrainën kishin ofruar ndihmë praktike, megjithëse detajet ende po diskutohen.
Zyrtarët ukrainas thanë se propozimet në diskutim – si pjesë e garancive të sigurisë përfshijnë një ushtri ukrainase të fortë dhe të pajisur mirë, trupa të huaja në terren, financim për armatime vendase dhe të huaja dhe shkëmbimin e të dhënave të inteligjencës artificiale.
“Presidenti rus Vladimir Putin nuk do ta ndalë agresionin e tij ushtarak në kufirin e Ukrainës dhe koha për veprime të guximshme është tani”, tha ai në një thirrje ndaj aleatëve evropianë.
“Nëse evropianët e marrin seriozisht sigurinë e tyre, ata duhet të marrin vendime të vështira”, shtoi ai. //a.i/