FRANCË – Autoritetet vazhdojnë të luftojnë me zjarret ndërsa temperaturat arrijnë në 40 gradë Celsius

PARIS, 13 gusht /ATSH/- Zjarri më i madh në Francë i regjistruar në 75 vite, i cili ka djegur një sipërfaqe më të madhe se Parisi, do të digjet për disa ditë të tjera edhe pse është vënë nën kontroll, thanë sot autoritetet, sipas “Independent”.
“Më shumë se 2 000 zjarrfikës dhe 500 automjete zjarrfikëse vazhdojnë të jenë të vendosura në rajonin e Aude, së bashku me personelin e ushtrisë”, thanë zyrtarët.
Një grua ka vdekur dhe 13 persona, përfshirë 11 zjarrfikës janë plagosur, që kur zjarri shpërtheu pranë fshatit Ribaute në Francën jugore.
Avionët me cisterna uji kanë ndihmuar gjithashtu në përballimin e flakëve, të cilat kanë djegur më shumë se 17,000 hektarë tokë.
Autoritetet thanë se rrugët në zonë ishin shumë të rrezikshme për shkak të linjave të rrëzuara të energjisë elektrike dhe rreziqeve të tjera.
Tymi nga zjarret dhe sipërfaqe të mëdha toke të djegura nxjerrin në pah shkallën e shkatërrimit në të gjithë rajonin.
Banorëve u është kërkuar të mos kthehen në shtëpi ndërsa operacionet vazhdojnë, me 17 vende të përkohshme strehimi të hapura.
“Fshatrat në rajonin e Corbieres mbeten në gatishmëri të lartë”, sipas mediave franceze.
Zyrtarët thanë se ky është zjarri më i madh në Francë që nga viti 1949.
Kryeministri francez François Bayrou e quajti atë një “katastrofë në një shkallë të paparë”.
Gjatë një vizite në rajonin Aude, Bayrou tha se zjarri ishte i lidhur me ngrohjen globale dhe thatësirën.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se të gjitha burimet e vendit ishin mobilizuar – ndersa u bëri thirrje njerëzve të tregonin kujdes maksimal. //a.i/