FRANCË – Kryeministri Lecornu pezullon reformën e diskutueshme të pensioneve të Macron

PARIS, 14 tetor /ATSH-DPA/- Kryeministri francez Sébastien Lecornu njoftoi sot pezullimin e reformës së diskutueshme të pensioneve të presidentit Emmanuel Macron, duke shtyrë rritjen e planifikuar të moshës së daljes në pension në 64 vjeç deri në janar 2028.
“Projektbuxheti u prezantua sot në mbledhjen e parë të kabinetit të qeverisë së re, me qëllimin e deklaruar për të ulur deficitin buxhetor nga 5,4% këtë vit në nën 5% vitin e ardhshëm, sipas zëdhënëses së qeverisë, Maud Bregeon.
I përballur me një betejë të vështirë për t’i mbijetuar të paktën dy votave të mosbesimit këtë javë, Lecornu u përball sot me parlamentin – si një përpjekje e fundit për të krijuar kushtet për të miratuar buxhetin e shkurtuar për vitin 2026.
Paraardhësi i Lecornu, François Bayrou, u rrëzua nga detyra për shkak të propozimit të buxhetit. Macron ka emëruar pesë kryeministra në më pak se dy vjet.
Franca është zhytur në një ngërç politik që nga zgjedhjet e parakohshme të thirrura nga Macron në mesin e vitit 2024. Pas zgjedhjeve parlamenti nuk ka qënë në gjendje për të rënë dakord për një buxhet që redukton deficitin. //a.i/