E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJENEVË – OKB: Shtetet, të gatshme të ndihmojnë financimin në rindërtimin e Gazës me 70 miliardë dollarë

GJENEVË, 14 tetor /ATSH/ – Vendet evropiane dhe arabe, si edhe Kanadaja e Shtetet e Bashkuara të Amerikës , duken të gatshme të kontribuojnë për 70 miliardë dollarët e nevojshëm për rindërtimin e Gazës, tha sot një zyrtar i Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se lufta dyvjeçare atje ka prodhuar rrënoja sa 13 herë madhësia e piramidave të Gizës, sipas “Reuters”.

Jaco Cilliers, zyrtar në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), tha se lufta e Izraelit kundër Hamasit ka gjeneruar të paktën 55 milion ton rrënoja dhe se mund të duhen dekada që Gaza të rikuperohet plotësisht.

“Kemi dëgjuar lajme shumë pozitive nga një sërë partnerësh tanë, përfshirë partnerët evropianë dhe Kanadanë, lidhur me gatishmërinë e tyre për të ndihmuar”, tha ai në një konferencë për shtyp, duke shtuar se po zhvillohen gjithashtu diskutime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, një numër i madh palestinezësh janë kthyer në rrënojat e shtëpive të tyre në këtë territor bregdetar.

Pjesa më e madhe e Gazës është shndërruar në një shkretëtirë nga bombardimet izraelite gjatë dy viteve, të cilat kanë  çuar në vdekjen e rreth 68 000 persona, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

Një pjesë e madhe e shkatërrimit ndodhet në qytetin e Gazës, skena e disa prej luftimeve më të ashpra. Rreth 83% e ndërtesave atje janë dëmtuar, sipas Qendrës Satelitore të Kombeve të Bashkuara (UNOSAT).

Izraeli nisi ofensivën e tij pasi militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan vendin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1 200 persona dhe duke marrë 251 pengje, sipas të dhënave izraelite.

Hamasi liroi dje  pengjet izraelitë të fundit të gjallë nga Gaza  në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa Izraeli dërgoi në shtëpi autobusë me të burgosur palestinezë. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump shpalli përfundimin e luftës dyvjeçare. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›